“Vetëm gjatë mandatit të parë të qeverisjes” ishte specifikuar kohëzgjatja për realizimin e premtimit për banim të përballueshëm nga Albin Kurti, në vitin 2021 në fushatën e kaluar, para se të qeveriste për katër vjet. Tash, kur janë bërë 100 ditë nga zgjedhjet e fundit, kryeministri në detyrë dhe qeveria e tij kanë fajësuar komunat për mosrealizim.
Të martën, u vu gurthemeli i objektit për banim të përballueshëm në Podujevë. Nga aty, Kurti dhe zëvendësministri i Mjedisit, Jeton Raka, thanë se është “për keqardhje” qasja e komunave.
“Në mesin e komunave të zgjedhura janë 4 komuna: e Istogut, Podujevës, Gjilanit dhe Pejës. Nga gjithsej 38 komuna kanë aplikuar vetëm 13, kjo është për të ardhur keq për shkak se është një lloj papërgjegjësie e disa udhëheqësive komunale të cilat nuk shfrytëzojnë këto sjellje publike të Ministrisë ku në këtë rast mendoj se i mohohet një e drejtë themelore siç është e drejta e banimit shumë banorëve në komunat e tjera që nuk kanë aplikuar fare në këtë projekt”, ka thënë fillimisht zëvendësministri Raka.
Ndërkaq, Kurti u shpreh se “është për të ardhur keq sepse çiftet e reja, prindërit vetushqyes anembanë Kosovës kanë nevojë për banim të përballueshëm dhe social”.
“Ne po dëshmojmë me këtë rast se më e madhe oferta e Qeverisë sesa kërkesa e komunave. I bije që përafërsisht prej tri komunave vetëm njëra prej tyre kërkon, aplikon banim të përballueshëm e dy prej tyre nuk e bëjnë. Fatmirësisht, Podujeva e ka bërë aplikimin dhe tash po e fillon realizimin”, ka thënë Kurti.
Kurti e dha këtë përgjigje edhe pse u pyet për ngërçin në Kuvendin e Kosovës. Pasi dëgjoi tri pyetjet, Kurti tha se çështjet e bllokimeve janë në Prishtinë e se ai “është për ndërtim në Podujevë”.
Kurti në deklaratë për gazetarët po ashtu bëri të ditur se në Podujevë do të ndërtohen dy ndërtesa me 133 njësi banesore. Prej tyre 106 do të jenë me banim të përballueshëm e 27 për banim social.
E në vitin 2021, Kurti pati premtuar se “për çiftet e reja, gratë kryefamiljare por edhe shërbyesit publik si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike, vetëm gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje”.
VIDEO: