Arbëri

Për Krishtlindje, ipeshkvi bën thirrje për stabilitet politik në Kosovë

dode gj

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë, me rastin e Krishtlindjes, një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera.

Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen “Shën Nënë Tereza” është udhëhequr nga ipeshkvi. Ai ndër tjera tha se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik dhe të përshpejtojë rrugën drejt hyrjes në familjen evropiane dhe të ruajë vlerat e shoqërisë.

“Bota sot po përballet me frikën e shkatërrimit, pasi ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merren vendim sipas interesave të fortëve dhe jo sipas drejtësisë. Mjerisht, kjo mënyrë e të menduarit, kjo formë e veprimit dhe kjo qasje ndaj njeri tjetrit po merr jetë njerëzish gjithandej botës ku ka luftë, padrejtësi e varfëri. Kjo ka plagosur rëndë ndërgjegjen politike të botës. Mbi të gjitha po shkatërron shpresat e brezave të ri dhe po i bën të paaftë ata që të jetojnë në paqe dhe dashuri. Nuk është e mirë as gjendja mes nesh e për këtë nuk mund ta fajësojmë askënd, por të ndihemi bashkëfajtorë për çdo situatë që nuk e kemi në nivelin e duhur... E ndjej të nevojshme t’ju ftoj të jemi më të përgjegjshëm për të restauruar gjendjen në të cilin kemi jetuar në vitin që po lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar, pasi do të kontribuojnë të gjithë që vendi të ketë stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë të ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, tha Dodë Gjergji.

Në Ditën e Krishtlindjes, të enjten, nga ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ndërsa nga ora 18:00 mesha në Kishën e “Shën Ndout” në “Ulpianë”, Prishtinë.