Arbëri

Peja shënon vitin e parë pa asnjë vrasje pas 26 vjetësh

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj

Viti 2025 është regjistruar si viti i parë pa asnjë vrasje në rajonin e Pejës, 26 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. 

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e ka quajtur këtë arritje historike, teksa është vlerësuar si rezultat i koordinimit të ngushtë ndërinstitucional dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Pas 26 vjetëve pas luftës, viti 2025 evidentohet si viti i vetëm pa asnjë vrasje në rajonin e Pejës. Kjo ka ardhur si rezultat i mirëkoordinimit dhe thellimit ndërinstitucional me Policinë e Kosovës, me mekanizmat tjerë institucional e pa minimizuar asnjëherë bashkëpunimin e ngushtë dhe besimin e qytetarëve tanë”, ka thënë Vuçetaj.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Prokuroria, gjatë 25 viteve të para pas luftës në rajonin e Pejës janë regjistruar 203 vrasje, që kanë lënë pas 227 viktima.

“203 vrasje për 25 vjet. Me 227 viktima për 25 vjet është jashtëzakonisht shumë për një rajon siç jemi ne, e mos të flasim për familjarët që i kanë përjetuar këto”, ka shtuar ajo.

Ajo ka nderuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët ndërhynë në një rast të tentim vrasjes pranë Gjykatës Themelore në këtë rajon. 

“Përmes heroizmit, profesionalizmit dhe guximit të jashtëzakonshëm në krye të detyrës zyrtare për rastin e ndodhur në afërsi të Gjykatës Themelore në Pejë janë më meritorët që viti 2025 të përfundojë pa asnjë rast vrasje. Sot para jush, kam kënaqësinë dhe nderin që këta zyrtarë t’i nderoj me mirënjohje për guximin dhe profesionalizmin e treguar në krye të detyrës zyrtare. Labinot Shala, Bislim Kelmendi dhe Fisnik Bytyçi, tre djem të ri që kanë dhënë krenari për Policinë e Kosovës e po ashtu edhe për Prokurorinë e Shtetit”, ka theksuar ajo.

VIDEO: