Arbëri

Peci thotë se i është djegur një ekskavator kompanisë përgjegjëse për rrënim të objekteve pa leje

Faton Peci

Kryetari i Mitrovicës Faton Peci ka thënë se kompanisë që është përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje i është djegur një ekskavator.

Djegien që sipas tij, ka ndodhur gjatë orëve të natës së kaluar Peci e ka quajtur akt makabër e qyqar. 

“Nuk po rrënon bageri, po rrënon kryetari Faton Peci ... mbrëmë gjatë orëve të vona të natës, kompanisë që ishte përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje i është djegur një mekanizëm/bager. E dënoj ashpër këtë akt makabër e qyqar. Ky veprim kriminal përbën kërcënim direkt për të gjithë ata që angazhohen që Mitrovica të jetë qytet ku mbretëron rendi dhe qetësia publike”, ka shkruar Peci në Facebook.

Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që të zbardhin sa më shpejt rastin.

“Por, të gjithë ata që me akte të tilla kriminale e kërcënuese mendojnë se na frikësojnë e kanë gabim. Lufta jonë ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit e parregullsisë nuk do të ndalet. Në anën tjetër, organeve të rendit ju bëj thirrje të intesifikojnë veprimet e tyre për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit. E për të gjithë ata me këtë logjikë dua t’i siguroj se paqe me krimin nuk do të ketë asnjëherë, askund në Mitrovicë, as në jug as në veri”, ka shkruar Peci.