Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Peci: Mosprezantimi i unitetit politik mund t’i kushtojë Osmanit mandatin e dytë

Drejtori i Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani, ndonëse ka kompetencë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe përgatitje të mirë akademike, nuk ka arritur ta prezantojë unitetin e popullit, gjë që sipas tij mund t’i kushtojë në përpjekjen për t’u rizgjedhur.

Sipas Pecit, pika e dobët e Osmanit ka qenë mungesa e përfaqësimit të unitetit politik, si në raport me opozitën, ashtu edhe me komunitetet joshumicë. Ai theksoi se përplasjet u theksuan sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit, kur, sipas tij, nuk u morën parasysh qëndrimet e partive opozitare lidhur me datën e zgjedhjeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kur je në krye të vendit duhet ta udhëheqësh vendin në frymën që ta ka përcaktuar Kushtetuta. Nëse Osmani s’do t’i kishte bërë këto gabime, si me pozitën dhe opozitën, ajo do ta kishte pa problem një mandat të dytë. Tash po duket që e ka larg”, ka thënë Peci në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai shtoi se edhe nominimi i Glauk Konjufcës për kryeministër nga Osmani, ndonëse dihej se nuk do t’i siguronte votat e nevojshme, ka ndikuar në thellimin e ndasive politike.

Peci u shpreh se çështja e zgjedhjes së presidentit të zgjidhet përmes marrëveshjes politike, duke theksuar se edhe zgjedhjet e reja parlamentare nuk do ta zgjidhnin automatikisht këtë çështje, pasi është e pamundur që një parti e vetme të sigurojë 70 deputetë.

“Kosova tash i ka bërë 18 vjet shtet. Kemi arritur në një fazë ku duhet pjekuri institucionale, të shohim përtej mosmarrëveshjeve dhe të bëjmë marrëveshje në interes të shtetit”, deklaroi ai, duke shtuar se po sheh një qasje tjetër nga kryeministri Albin Kurti dhe se pret që bisedimet me partitë opozitare të prodhojnë një kandidat të përkrahur gjerësisht.

Sipas tij, presidenti apo presidentja e ardhshme duhet të ketë kompetencë të lartë në marrëdhënie ndërkombëtare, pasi është udhëheqës i politikës së jashtme, si dhe njohuri në fushën e sigurisë, duke qenë njëkohësisht komandant i Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai përmendi edhe ingerenca të tjera juridike e politike, duke theksuar se presidenti duhet të jetë simbol unifikues.

Duke folur për një emër nga familja Jashari, Peci kujtoi se edhe më herët kishte pasur përpjekje që një anëtar i saj të zgjidhej Ombudsperson, por që kjo nuk kishte ecur përpara, duke shtuar se gjithçka varet nga kalkulimet politike.

Ish-ambasadori ka theksuar se ka avokuar për ndryshim të Kushtetutës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, por theksoi se për një ndryshim të tillë nevojiten edhe votat e komunitetit serb, çka mbetet e pasigurt.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin e ri.