Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Peci, ka thënë se gjendja e krijuar në Kuvendin e Kosovës do të ndryshojë sot, vetëm nëse kanë ndryshuar qëndrim partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.
“Tashmë dihet që pamundësi që ne të kemi Kuvend të konstituuar varet nga vota e partive opozitare, nëse ata kanë reflektuar atëherë do të kemi ndryshim të gjendjes, në rast se jo, atëherë jo”, ka theksuar Peci, para nisjes së vazhdimit të 14-së.
Ai ka thënë se nëse do të dështonte që e propozuara e LVV-së, Albulena Haxhiu të bëhej kryetare e Kuvendit me votim të fshehtë, atëherë do të shtohej nevoja për të parë modalitete të tjera.
Peci i ka akuzuar deputetët e partive që në legjislaturën që shkoj kanë qenë në opozitë, duke thënë se ata po flasin në emër të të tjerëve. Ai ka thënë se ata po duan ta përzgjedhin emrin brenda LVV-së për kryetar të Kuvendit.
“Emri i Albulena Haxhiut nuk është problemi, problemi është diku tjetër”, ka shtuar Peci.
Bajqinovci: Posti i kryeparlamentarit s’negociohet
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se për pozitën e kryeparlamentarit nuk negociohet dhe se ajo i takon partisë fituese.
Ai ka thënë se nuk është nevoja të ndryshohet propozimi i Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentarit. Vetëvendosja ka propozuar Albulena Haxhiun.
“Na takon, jemi partua më e madhe, e thotë Kushtetuta. Të reflektojë opozita e të kalohet në pjesën tjetër, krijimi i ekzekutivit”, tha Bajqinovci.

