Botë

SHBA-ja dhe Rusia pajtohen ta rivendosin dialogun ushtarak

Alexus Gynkewich

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë dakorduar të enjten ta rivendosin dialogun ushtarak të nivelit të lartë, për herë të parë pas më shumë se katër vjetëve, në një tjetër shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, që kur Donald Trump u kthye në postin e presidentit në SHBA dhe nisi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton agjencia “AP”. 

Komunikimi ushtarak i nivelit të lartë u pezullua në fund të vitit 2021, ndërsa tensionet mes Moskës dhe Washingtonit u rritën përpara fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Trump më pas bëri fushatë për një mandat të dytë me premtimin se do t’i jepte shumë shpejt fund luftimeve. Shumë nga propozimet e tij për paqe kanë favorizuar ndjeshëm Kremlinin, përfshirë kërkesën që Ukraina t’i dorëzojë territor Rusisë.

Kanali i rivendosur i komunikimit “do të ofrojë një kontakt të qëndrueshëm ushtarak-me-ushtarak, ndërsa palët vazhdojnë të punojnë drejt një paqeje të qëndrueshme”, thuhet në një deklaratë të Komandës Evropiane të SHBA-së. Marrëveshja doli nga një takim mes zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë dhe amerikanë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, i cili është komandanti në Evropë i forcave të SHBA-së dhe NATO-s, ndodhej në Abu Dhabi, ku bisedimet mes zyrtarëve amerikanë, rusë dhe ukrainas për përfundimin e luftës hynë në ditën e dytë.