Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimet e Gjykatës Kushtetuese me të cilat u shfuqizuan për shkelje procedurale vendimet për miratimin e 13 ligjeve të marra më 5 dhjetor 2024.
Në një komunikatë për media, PDK-ja ka thënë se vendimi përbën “konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare”.
“Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes. Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Tutje PDK-ja ka thënë se “asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë atë në emër të pushtetit momental”.
“PDK mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit”, përfundon komunikata e PDK-së.
Në publikimin e bërë të premten, Kushtetuesja ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimet për miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjeve për Shërbimet e Pagesave, atë kundër dukurive negative në sport, për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, për provimin e maturës shtetërore, për banim social dhe të përballueshëm, për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për Prokurorinë Speciale, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, për Inspektoratin Qendror të mjedisit dhe atë për Lojërat Mesdhetare.