Partia Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar të mërkurën koalicionin me Eman Rrahmanin që në zgjedhjet e kaluara i priu Listës për Familjen.
Në një konferencë për media, Hamza ka thënë se bëhet fjalë për marrëveshje që ka synim “ndryshimin e gjendjes në Kosovë”.
Ai e ka cilësuar praninë e anëtarëve të Listës për Familjen në listën e PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit si “vlerë të shtuar”.
“Qëllimi i këtij koalicioni është në drejtim të asaj që të bëjmë progres dhe të ndryshojmë gjendjen në vend. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm”, ka thënë Hamza.
E Rrahmani ka thënë se ka negociuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por ka shtuar se në këto zgjedhje kanë vendosur të arrijnë marrëveshje me PDK-në.
“Kemi diskutuar çështjen e zhvillimit, situatës me energjinë, aspektin social dhe shoqërinë dhe familjen në përgjithësi. Kemi arritur dakordim të plotë në të gjitha pikat dhe jemi dakorduar e zotuar për një angazhim të përbashkët në ngritjen e mirëqenies, në ruajtjen e familjes dhe dinjitetit tonë, por edhe punët që e presin vendin tonë”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani ka thënë se marrëveshja parasheh që të ketë “numër të mjaftueshëm” të anëtarëve të Listës për Familjen në listën e PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Rrahmani i është bashkuar Listës së PDK-së edhe me Visar Korenicën. Bashkë në të kaluarën ishin deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Të dy dhe Lista për Familjen patën bashkëpunuar në fillimvit me disa parti të tjera, përfshirë Partinë për Drejtësi e Aleancën Kosova e Re në Koalicionin për Familje.