Zyrtarë të Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), tek e kanë kundërshtuar vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë, kanë thënë se “njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi”.

Sipas një njoftimi të PDK-së deputeti Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se “Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie”. 

“Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike”, citohet të ketë deklaruar deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Lidhur me këtë deklaratë Dalipi ka reaguar në Facebook. Ai ka theksuar se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në biznes.

Në konferencë deputeti Tahiri gjithashtu ka njoftuar se PDK-ja ka dorëzuar një kundërshtim administrativ ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë nga data 1 qershor, duke e cilësuar këtë vendim si të paligjshëm.

Sipas njoftimit Tahiri, se ky vendim prek rreth 1,300 biznese dhe mbi 140 mijë punëtorë. 

Ndërkohë sipas njoftimit të PDK-së, deputeti Tahiri gjithashtu ka thënë se vendimi i ZRRES-së përbën një goditje të rëndë ndaj ekonomisë së vendit, siç thuhet, “duke rrezikuar falimentime masive, rritje të papërballueshme të çmimeve dhe një valë të re inflacioni që godet qytetarët dhe konsumatorët”.

Në njoftim thuhet se PDK-ja i ka bërë thirrje ZRRE-së ta pezullojë zbatimin e këtij vendimi. 

“Në të kundërtën pas 15 ditësh PDK do të procedojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet që sa më parë t’i vihet masë e përkohshme zbatimit të tij”, thuhet në njoftim.

“ZRRE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut. Ky vendim është marrë në mungesë të një analize të konkurrencës, si dhe pa konsultim me institucionet përgjegjëse, si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. Siç ka vërejtur qartë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ky vendim cenon interesat legjitime të një komuniteti të gjerë ekonomik, duke krijuar kushte për një krizë të re sociale në vendin tonë”, citohet të ketë thënë Tahiri.

Të enjten një pjesë e hyrjeve kryesore për në Prishtinë janë bllokuar për dy orë si pjesë e protestës së përfaqësuesve të bizneseve kundër vendimit që i obligon një numër syresh që të dalin në treg të hapur për furnizim me energji. 

Përfaqësues të bizneseve kanë ftuar ZRRE-në të reflektojë për kërkesën për shtyrjen e vendimit teksa në të kundërtën kanë paralajmëruar për radikalizim të veprimeve.

Protesta dyorëshe ishte thirrur nga Oda Ekonomike (EOK) në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të ZRRE-së, që do të hyjë në fuqi më 1 qershor dhe që parasheh që bizneset me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të dalin në treg të hapur të energjisë.

Haradinaj: Kompania e vëllait të Dalipit po shpërblehet, krimi i mafisë energjetike duhet të marrë fund

23 o. më parë / 30 maj 2025 16:38
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj asaj që e quan “mafia energjetike”, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë në detyrë të Albin Kurtit për përfshirje në afera të rënda korruptive në sektorin e energjisë.

“Kompania e vëllait të Luan Dalipit, shefit të kabinetit të kryeministrit pa legjitimitet Kurti, shpërblehet në emër të ‘tregut të lirë’ për shit-blerje të energjisë”, ka shkruar Haradinaj, duke theksuar se krimi po ndodh publikisht dhe me emër e mbiemër.

“Çmimin dihet kush e paguan – qytetari i mashtruar”, ka shkruar tutje ai.

Haradinaj e cilësoi situatën si “gjendje të jashtëzakonshme dhe emergjencë kombëtare”, duke paralajmëruar se ky proces duhet të ndalet dhe se “fundi për këtë mafi nuk do të jetë i mirë”.

Në një konferencës për media të premten, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tek shprehën kundërshtimin që disa biznese të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori, përmendën kompaninë MDA – që sipas tyre është e themeluar nga vëllai i Luan Dalipit – si një nga aplikuesit për të përfituar nga kjo skemë.

Në një reagim më vonë, Luan Dalipi ka mbrojtur të drejtën e vëllait të tij për të operuar në treg, duke theksuar se “pas 20 vjetësh punë të suksesshme në biznes, ka vendos me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër.” Ai ka shtuar se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka vepruar në mënyrë ligjore.

Megjithatë, Haradinaj e ka cilësuar këtë si një shembull të qartë të kapjes së shtetit dhe përdorimit të institucioneve për interesa të ngushta familjare dhe partiake. Ai i ka bërë thirrje qytetarëve të mos heshtin para, siç u shpreh ai, “krimeve që ndodhin çdo 24 orë”.

Dalipi i reagon PDK-së: Vëllai im është qytetar i lirë, ka të drejtë të angazhohet në biznes

1 d. më parë / 30 maj 2025 14:23
Luan Dalipi me Albin Kurtin

Foto: Arkiv

Shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar pasi që zyrtarë të Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), të premten tek e kanë kundërshtuar vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë, kanë thënë se “njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga ... Dalipi”.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se kompania është e vëllait të tij dhe drejtohet nga ai.

“Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë”, ka shkruar Dalipi. 

Ai ka thënë se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, “si çdo qytetar tjetër në këtë vend”. 

“Përgatitjet për të hyrë në tregun e energjisë së ripërtëritshme Dritoni e ka marr para rreth një viti, për mundësinë për të investuar në tokë private familjare. Tregtimi i energjisë është parë nga ai thjeshtë si mundësi për ta komplimentuar këtë tendencë për t’u zgjeruar në këtë sektor. Aplikimi për licencë është bërë në mënyrë të hapur, ligjore dhe të rregullt pranë ZRRE-së.

“Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shkruar Dalipi.

Ai ka theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë është vendim ekskluziv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), siç ka thënë ai, një organ i pavarur nga Qeveria që i raporton Kuvendit. 

“Edhe pse sfidat janë reale, ky proces ka qenë i paralajmëruar që nga viti 2016”, ka shkruar Dalipi.