Partia Demokratike e Kosovës me anë të një deklarate ka njoftuar se e ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, një proces i cili siç, thuhet në deklaratë ishte menduar të forconte marrëdhëniet ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.
Në deklaratë thuhet se “ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.
“Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, SHBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se të gjitha forcat politike properëndimore duhet të bashkohen dhe “t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme”.
“Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës.
Sipas PDK-së pezullimi i dialogur strategjik është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vjetët e lirisë, siç thuhet, “duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”.
“Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik. Partia Demokratike e Kosovës rithekson se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë”, thuhet në deklaratë.
Sipas PDK-së “ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë”.
“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë”, thuhet në reagim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.
Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në qëllimin e përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e përbashkët ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
