Arbëri

Pas një kontesti, rifillojnë punimet në ndërtimin e ujësjellësit në Hanin e Elezit

Pas një kontesti ndërmjet Agjencionit Kosovar i Privatizimit (AKP) dhe Komunës së Hanit të Elezit, kanë rifilluar punimet në ndërtimin e ujësjellësit në këtë qytet. Në fillim të muajit të kaluar Koha ka raportuar rreth ndërprerjeve të këtyre punimeve pasi që gypat e ujësjellësit në disa lokacione ishin vendosur në prona të AKP-së pa ndonjë pëlqim të këtij institucioni. Në këtë projekt CDI-ja zvicerane së bashku me Komunën e donatorë të tjerë kanë investuar afër një milion euro, ndërkohë deri në fund të vitit pritet të finalizohen punimet dhe ujësjellësi do të menaxhohej nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” nga Ferizaj.

Nazif Asllani, drejtor gjeneral i kësaj kompanie ka thënë për KOHEN se tashmë pengesat ndërmjet institucioneve kanë kaluar dhe punimet janë duke vazhduar në fazën përfundimtare.

Sipas tij, pas përfundimit të punimeve kompania sipas një marrëveshje do ta menaxhojë ujësjellësin në Hanin e Elezit.

“Punimet janë duke vazhduar pas një ndërprerje e cila pati ndodhur muaj më parë si pasojë e disa kontesteve ndërmjet institucioneve. Ne gjatë ditës si kompani i kemi vizituar punimet të cilat tashmë janë në fazën përfundimtare dhe po presim që deri në fund të vitit të përfundon si projekt dhe qytetarët e Hanit të Elezit të kenë ujë të pijshëm”, ka thënë Asllani.

Bashkim Sopa, zëdhënës i Komunës së Hanit të Elezit, ka thënë për Kohen se punimet kanë rifilluar dhe do të vazhdojnë me intensitet të shtuar deri në përfundim të projektit.

“Pas kontesteve të cilat janë bërë publike, kryetari ka pasur takime me përfaqësuesit e Agjencionit Kosovar të Privatizimit por edhe me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë ministri është dorëzuar kërkesa për shpronësim të një pjese për vendosjen e gypave të ujësjellësit, ndërkohë AKP-së ua kemi përcjellë një kërkesë për vazhdimin e punimeve dhe të gjitha palët janë pajtuar që punimet duhet të vazhdojnë”, ka thënë Sopa.

Sipas tij, ky projekt pritet të finalizohej brenda një të ardhme të afërt dhe qytetarët të kenë ujë cilësor derisa fabrika për përpunimin e ujit prej vitesh është e gatshme.