Të gjitha partitë po shprehen se shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare është e dëmshme për Kosovën. Ato janë shprehur se i dëmshëm është edhe shpenzimi i dhjetë milionë eurove të tjera për zgjedhje. Megjithatë, pavarësisht “vuajtjeve”, ato nuk janë tërhequr nga qëndrimet për presidentin dhe tek kanë mbetur edhe tre ditë deri në fund të afatit, rrugët po çojnë drejt zgjedhjeve.
Tek i akuzoi partitë opozitare për dështim në gjetjen e zgjidhjes për presidentin, kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u shpreh se zgjedhjet e reja janë edhe humbje kohe edhe humbje e mjeteve të Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese”, ka shkruar ai në Facebook të premten në mbrëmje.
Të ngjashme i kanë deklaratat edhe anëtarët e tjerë të Vetëvendosjes. Por ndryshe nga pushteti, përfaqësuesit e opozitës e shohin fajin diku tjetër për shpenzimin e milionave.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ditë më parë ka thënë për Ekonomia Online se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve.
“Po, në fakt, veprimet që janë bërë edhe në fazën e parë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në pjesën tjetër, tregojnë se qëllimi i zotit Kurti dhe i Lëvizjes Vetëvendosje është që vendin ta çojnë drejt zgjedhjeve. Dhe kjo është fatkeqësia e gjithë kësaj që po i ndodh sot Kosovës, pa asnjë interesim për ta zgjedhur presidentin dhe për t’i eliminuar eventualisht zgjedhjet që po na presin”, tha ai.
E deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, ka thënë se mjetet për zgjedhjet e reja do të duhet të merren nga projektet investive.
“Zgjedhjet kanë një kosto dhe kjo ndikon si në buxhet, ashtu edhe në mirëqenien sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ato mjete duhet të merren nga projektet investive dhe vullneti i shumicës po duket se është që të mos ketë zgjidhje, por të ketë zgjedhje. Mosarritja e një konsensusi për një president është tregues i qartë se shumica synon një imponim tjetër, i cili nuk përkon as me Kushtetutën dhe as me realitetin politik në Republikën e Kosovës. Nëse shkohet në zgjedhje, atëherë ka kosto buxhetore, por edhe ngarkesë financiare për qytetarët dhe për të gjithë pa përjashtim”, ka thënë Zemaj.
E shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova i merr dy goditje nëse shkon në zgjedhje.
“Kosova i merr dy goditje të mëdha. E para lidhet me stabilitetin institucional dhe jetën e qytetarëve, për shkak se moszgjedhja e presidentit dhe bllokada që kjo qeveri po ia bën Kosovës me këmbënguljen për ta marrë këtë pozitë krijon dëme të pariparueshme, të cilat janë shumëmilionëshe. Ndërsa në aspektin e organizimit të zgjedhjeve, kostoja kalon mbi 10 milionë euro. Kjo situatë flet për papërgjegjësi totale dhe etje për pushtet të zotit Kurti dhe Qeverisë së Vetëvendosjes”, ka thënë ai. “Opozita nuk ka çfarë të bëjë tjetër përveçse të kërkojë një president unifikues. I gjithë diskutimi për presidentin nuk ka qenë për një figurë konsensuale apo unifikuese, por për të justifikuar një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe dikujt në opozitë për ndarje pushteti. Debati nuk është për qeverinë, por për zgjidhjen e ngërçit politik. Ngërçi politik është te presidenti, jo te qeveria”.
Ndërkaq zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se në planifikimin buxhetor për vitin 2026 nuk është paraparë një proces i ri zgjedhor.
“Nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor, një nga çështjet e para që do të trajtohet nga KQZ është planifikimi i buxhetit të nevojshëm për organizimin e tyre. Viti 2026 nuk është vit zgjedhor, që do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në raste të tilla, KQZ i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për sigurimin e mjeteve të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”, ka thënë Elezi.
Elezi ka shtuar se aktualisht nuk mund të dihet kostoja e mundshme e zgjedhjeve, por ka treguar se në zgjedhjet e shkuara buxheti i planifikuar ishte rreth 11 milionë euro, e në fund sipas raporteve jopërfundimtare ishin shpenzuar rreth 7 milionë euro.
Ligjvënësit në Kosovë, që nga 25 marsi, kanë pasur mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi një dekret të ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në një seancë më 5 mars.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, ndërsa nevojiten të paktën 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka pasur disa takime me udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së. Ato dështuan. Opozita e akuzon Kurtin se po i do të gjitha pozitat kyçe për vete, ndërsa Kurti ka thënë se u ka ofruar edhe poste qeveritare apo kryeparlamentarin në këmbim të votave për presidentin.
Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.