E para se të organizohet seanca konstituive, janë hapur dilema për rrjedhën e saj, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ia njeh Listës Serbe të drejtën për propozimin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Përfaqësues të partive të përfaqësuara në Kuvend kanë shmangur deklarimet për atë se si do të votojnë
Partitë politike ende nuk kanë marrë qëndrime konkrete nëse do të votojnë pro një kandidati për nënkryetar Kuvendi të propozuar nga Lista Serbe, ashtu siç Gjykata Kushtetuese ia konfirmoi këtë të drejtë kësaj partie, si shumicë brenda komunitetit serb.
Kryetari i Vetëvendosjes e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se do të presë vendimin e plotë të Gjykatës përpara se të japë një qëndrim për këtë.
“Besoj që në javën e ardhshme do ta kemi aktgjykimin me përmbajtjen e plotë dhe më pastaj do të mund ta japim një përgjigje të qartë e të saktë nga ana jonë. Por ajo çfarë unë shpresoj është që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i janar-shkurtit 2026 të mos jetë në kundërshtim me ato aktgjykimet e vitit 2025, në veçanti të muajit tetor, sepse bëhet fjalë për të njëjtën çështje”, ka thënë Kurti.
As në partinë e dytë më të madhe në vend PDK nuk treguan se si do të votojnë në seancën konstituive, kur propozimin për nënkryetarin serb do ta bëjë Lista Serbe.
Deputeti i zgjedhur, Përparim Gruda, tha se PDK-ja i respekton vendimet e gjykatës, porse edhe vota do të varet nga vijimi i seancës.
“Kjo është një çështje që do ta shohim se si do të vijojë procedura, por vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen. Ju e dini se mbarëvajtja e seancës konstituive dhe e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit shqiptar dhe nga minoritetet udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit, që në këtë rast do të jetë prapë nga Lëvizja Vetëvendosje. Kështu që është kompetencë e kryetarit të Kuvendit që të ekzekutojë vendimin gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese në përpikëri”, ka deklaruar Gruda.
Vetëvendosja si parti e parë e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, i cili pas zgjedhjes udhëheq vazhdimin e seancës në pikën që ka të bëjë me zgjedhjen e nënkryetarëve. Në këtë parti nuk iu përgjigjën pyetjeve për procedurën që do të ndiqet, nëse nuk zgjidhet nënkryetar Kuvendi asnjë nga të propozuarit e Listës Serbe.
Se cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të LDK-së dhe AAK-së për të njëjtën çështje, nuk kanë informata në asnjërën parti.
KOHA ka drejtuar pyetje edhe në Presidencë lidhur me veprimet që do të marrë kryetarja e vendit, nëse deputetët nuk e respektojnë vendimin e Gjykatës, por në këtë institucion kanë thënë se ende janë në pritje të vendimit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ende nuk ka ardhur në Presidencë. Sapo ta marrim të plotë, do të mund të përgjigjemi në pyetjet e tjera”, ka theksuar Kupina.
Gjykata e ka shpallur antikushtetuese procedurën e zgjedhjes se Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit, me arsyetimin se nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, e cila përbëhet nga Lista Serbe. Sipas Gjykatës, gjatë procedurës së konfirmimit të Rashiqit si anëtar i kryesisë së Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, u shkelën neni 67 i Kushtetutës dhe neni 12 i Rregullores së Kuvendit.
“Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve”, thuhet në njoftim.
Kushtetuesja konstatoi se përveçse Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, po kjo shumicë, në rastin konkret Lista Serbe luajti rol bllokues në konstituimin e Kuvendit.
“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për ta shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet në njoftim.
Nenad Rashiqi u zgjodh pasi u propozua direkt nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, meqë deri atëherë ishin kryer 27 runde votimi për secilin deputet serb nga tri herë përmes shortit.
Kuvendi i Kosovës me përbërje të deputetëve që kanë fituar mandatin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit pritet të konsituohet pasi të shteren të gjitha procedurat deri në shpalljen dhe certifikimin zyrtar të tyre.