Gjashtë ditët e mbetura për ta zgjedhur presidentin, partitë nuk do t’i shfrytëzojnë për të gjetur zgjidhje, pasi përfaqësues të tyre deklaruan se kjo është çështje e mbyllur. Dështimin ia atribuuan njëri-tjetrit
Dështimin e negociatave për ta zgjedhur presidentin, kryeministri Albin Kurti ia ka faturuar partive opozitare për të cilat tha se duan të marrin më shumë pushtet sesa u ka dhënë populli.
Kurti tha të martën se i ka ofruar Partisë Demokratike postin e kryeparlamentarit në këmbim të votave për presidentin dhe pozitën e nënkryetarit të Kuvendit. Të njëjtë ofertë i ka bërë edhe Lidhjes Demokratike, së cilës ia ka ofruar edhe mundësinë për bashkëqeverisje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTek foli për PDK-në, ai tha se ajo ka qenë bujare, pasi, siç tha, katër kandidatë të Vetëvendosjes kanë marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që mi kanë dhënë 51.1 për qind. Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë. Veç pak, keni aplikuar për punë ju ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet, e po thua: ‘A të hy në punë’. Por, ti s’i ke as dokumentet të aplikosh”, ka thënë Kurti. “Me ia dhënë atij po thua (të drejtën e propozimit të kandidatit për president v.j.)? Por s’ia ka dhënë populli o vëlla. Qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli?”.
Duke i quajtur gjeneroze ofertat të cilat ua ka ofruar opozitës, ai ka thënë se duhet pyetur ata se si mund t’i refuzojnë ato me numrat që i kanë. Sipas tij, ofrimi i një posti si ai i kryeparlamentarit për PDK-në dhe LDK-në është “koncesion i madh”, teksa ka krahasuar votat e liderëve të këtyre dy partive me deputetët e VV-së.
“Pra me 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet, po atë natë e kemi parë rezultatin. Kurrë s’ka qenë më i qartë. Këta 120 deputetë duhet që t’i funksionalizojnë institucionet në plotni. Kemi Kuvend, kemi qeveri, duhet të kemi edhe president”, ka thënë ai. “Pranimi i rezultatit nënkupton që PDK-ja ta kuptojë që janë 22 deputetë, janë një e treta e mazhorancës dhe duhet ta mirëkuptoni edhe pozitën time të vështirë, sepse LVV-ja ka arritur 51.1 për qind të votës popullore dhe ky është një rezultat i paparë dhe prandaj në vitin 2026 duhet të sillemi në përputhje me këtë rezultat”.
Por, përkundër rezultatit, as Vetëvendosja nuk i ka votat e nevojshme që ta zgjedhë presidentin. Për këtë kërkohen 80 vota në dy raundet e para, ndërsa Vetëvendosja ka 57 deputetë dhe 66 së bashku me partnerët e koalicionit.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, i quajti deklaratat e Kurtit lojë politike. Sipas tij, qasja e kryeministrit po e mban vendin në krizë të vazhdueshme.
“Me pas qenë ashtu, pse është dashtë të thirremi në takim. Me vetë faktin që ne jemi zgjidhja, jemi ftuar dhe jemi treguar pragmatik, jemi treguar bashkëpunues dhe kemi bashkëpunuar deri në fund që t’i japim vendit president. As nuk kemi thënë jemi meritor që të ftohemi, as kemi kërkuar që të ftohemi”, është kundërpërgjigjur Haziri.
E kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se çështja e presidentit për partinë e tij është e mbyllur dhe akuzoi Kurtin për mungesë serioziteti.
“U krye ajo punë. Është mbajt mbledhja e Këshillit Drejtues. Këshilli Drejtues është organ vendimmarrës brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Është diskutuar gjerë e gjatë kjo temë, është konstatuar që nuk ka pasur seriozitet nga partia fituese dhe nga zotëri Kurti që vendit t’i jap president, nuk është trajtuar me korrektësi qasja pozitive e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Hamza.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar veprime të qeverisë, për qëllime elektorale.
“Veç ka përgatitur një pako financiare që synon ta shkepë pak para zgjedhjeve disa ditë, me një pension plus, me gjysmën e pagës për të punësuarit në sektorin privat dhe disa shtesa të tjera. Ai e ka gjetur formulën të mos punojë 4 vjet”, ka thënë Haradinaj.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon të martën e ardhshme.
Të hënën, edhe takimi i pestë i Kurtit me kryetarin e LDK-së rezultoi i pasuksesshëm.
Abdixhiku ka njoftuar se i ka refuzuar dy oferta të Kurtit, njëra që parashihte të përfshihet në Qeveri si zëvendëskryeministër dhe LDK-ja t’i ketë 4 ministri, e tjetra që posti i kryekuvendarit t’i takojë partisë së Abdixhikut, e nënkryetarin ta marrë Vetëvendosje.
Ndërkaq PDK-ja, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të hënën mbrëma, e ka shpallur të mbyllur kontributin e saj në procesin e negociatave për presidentin. Kryetari i kësaj partie, refuzoi të takohej me Kurtin, ndërsa tha se edhe atij i është ofruar posti i kryeparlamentarit.
Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, Vjosa Osmani, atëherë presidente, përmes një dekreti pati shpërndarë Kuvendin. Ky vendim ishte mirëpritur nga partitë opozitare. Mirëpo, këtë dekret, me aktgjykimin e 25 marsit, Kushtetuesja e ka shfuqizuar, duke konstatuar se deputetët kanë kohë deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill. Kalimi i këtij afati, pa zgjidhje nënkupton zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Kësisoj, nëse nuk do të zgjidhet presidenti, zgjedhjet do të mbahen më së largu më 7 qershor.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra, Glauk Konjufcën e Fatmire Mulhaxhën, ndërkaq nuk ka pasur emra të tjerë të përmendur nga partitë opozitare.
Nëse Kosova shkon në zgjedhje, do të jenë të tretat parlamentare brenda më pak se 15 muajve. Dy të tjerat u mbajtën vitin e shkuar, të rregulltat në shkurt e ato të parakohshme në dhjetor.