Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar pezullimin e transportit publik në zonat ku vlerësohet rrezik për qarkullim të sigurt, po që se vazhdon përkeqësimi i gjendjes me ngrica.
Tek ka apeluar për kujdes të shtuar, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për kufizim të lëvizjeve e që të përdoren pajisjet e detyrueshme të dimrit në trafik.
E sa i përket transportit publik, Komuna ka bërë të ditur se për çfarëdo vendimi, qytetarët do të njoftohen me kohë.
“Si pasojë e kushteve atmosferike, mund të ketë vonesa në disa linja. Në zonat ku vlerësohet rrezik për qarkullim të sigurt, transporti publik do të pezullohet përkohësisht deri në normalizimin e kushteve; për çdo rast të tillë, qytetarët do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftim të së enjtes mbrëma.
Qytetarët mund të kontaktojnë në Qendrën e Thirrjeve (0800 122 33 ose 0800 122 44) në rast të pengesave në qarkullim apo për situata që kërkojnë ndërhyrje.
Pas reshjeve të shiut ditëve të fundit, e enjtja me temperatura minus ka shkaktuar ngrica të shumta nëpër shumë rrugë duke vështirësuar qarkullimin.