Arbëri

Paralajmërimi për kthimin e masave reciproke, kërkohet përmbushja e dy parakushteve

Reciprociteti ndaj Serbisë që kishte hasur në rezistencë të SHBA-së dhe BE-së është paralajmëruar të rikthehet sërish nga Qeveria Kurti. Megjithëse nuk kanë thënë se cilat janë masat dhe kur synohet të vendosen ato, Ekzekutivi u ka dërguar letra qeverive të vendeve anëtare të BE-së për t’i njoftuar në lidhje me pengesat e shtetit serb. Sipas analistëve, janë dy kushte që duhet përmbushur për të pasur sukses reciprociteti dhe të pranohet nga partnerët ndërkombëtarë

Në javën kur emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e viziton Kosovën, kryeministri Kurti nga Tirana paralajmëroi kthimin e reciprocitetit me Serbinë. Paraprakisht janë njoftuar edhe qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për ndërhyrjet e shtetit serb në fusha të ndryshme.

Por në Qeveri nuk kanë treguar për masat dhe datën kur ato mund të vendosen.

Para se ta merrte drejtimin e Qeverisë, Kurti e kishte reduktuar në çështje e ditësh e javësh kur do të vendoseshin masat reciproke. Por ato kanë munguar deri më tani, teksa rinisi dialogu i Brukselit me disa takime të zhvilluara, por pa ndonjë rezultat.

Sipas Demush Shashës nga instituti “Epik”, për të pasur sukses reciprociteti duhet përmbushur dy parakushte.

“Parakushti i parë është që të sigurohemi se kemi bindur me fakte partnerët tanë ndërkombëtarë se nuk na ka mbetur asnjë masë tjetër në dispozicion, përveç masës së reciprocitetit për të barazuar marrëdhëniet tona me Serbinë. E dyta, është që kryeministri Kurti duhet të na paraqesë përtej masës së reciprocitetit se cila është strategjia. Masa e reciprocitet është një veprim i caktuar afatshkurtër, por ne duhet të shohim se ku do të na çojë kjo. Pra çfarë dëshiron të arrijë z. Kurti përmes vendosjes së masës së reciprocitetit dhe cili është qëllimi i përgjithshëm”, ka thënë Shasha për KOHËN.

“Reciprociteti është ndër ato masa që konsiderohen mjaft të ashpra sa i përket raportit mes Kosovës e Serbisë. Prandaj në vazhdimësi kemi pasur thirrje nga partnerët tanë ndërkombëtarë që të përmbahen palët nga gjuha apo veprimet që tensionojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë Qeveria është në të drejtën e saj legjitime që të ridizajnojë dialogun në formë që e sheh si më të mirë të mundshme dhe në këtë drejtim reciprociteti është një nga masat që mund të konsiderohet”.

Paralajmërimi i Kurtit

Pas takimit me kancelaren Merkel në Tiranë, Kurti njoftoi të martën se i ka paralajmëruar qeveritë e vendeve të BE-së për “11 shkeljet që po i bën Serbia me barriera sistematike dhe sporadike”.

“Unë iu kam shkruar letër të gjitha qeverive të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm. Unë po pres përgjigjet e tyre dhe reciprociteti do të vendoset për shkak se nuk ka ndryshe, s’ka barazi pa reciprocitet. Mirëpo, me ministren tonë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe me doganat tona, që në këtë pranverë e kanë drejtorin e ri po përgatitemi që ta zbatojmë me sukses atë. Asnjë qeveri e mëhershme nuk ka zbatuar reciprocitet, ne kur ta zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë. E kemi theksuar edhe reciprocitetin tek të drejtat e pakicave”, ka deklaruar Kurti.

E, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur irracionale paralajmërimet e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Të ndikoni në veprime irracionale është e pamundur. Nuk mund të ndryshoni asgjë”, ka thënë Vuçiq të mërkurën, kur është pyetur për paralajmërimet e Kurtit.

Në qeverisjen Kurti 1 ishte vendosur reciprociteti si zëvendësim për taksën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL në nëntorin e vitit 2018, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë doganore, fillimisht 10 e më pas 100 për qind, ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina.

Por reciprociteti ishte hequr nga pasardhësi i Kurtit në Qeveri, Avdullah Hoti, në ditët e para të qeverisjes.

Vendimi erdhi pas kërkesës së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë që t’i jepej mundësi arritjes së një marrëveshjeje finale.

Pengesat nga Serbia

Dialogu i qeverive të kaluara dhe ai që po zhvillohet nga kryeministri aktual nuk ka sjellë rezultatet e proklamuara në zbatimin e marrëveshjeve të arritura sikurse janë- energjia, lëvizja e lirë, kadastra.

Zbatimi i plotë i marrëveshjes për Urën e Ibrit ende nuk ka filluar, megjithëse janë finalizuar punimet rreth rivitalizimit të saj, të cilat kishte marrë përsipër t’i kryente Bashkimi Evropian. Por problem ka dalë edhe përcaktimi i kufirit administrativ mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, që është pjesë e pakos së marrëveshjes për lëvizjen e lirë.

Reciprociteti ka munguar edhe në zbatimin e marrëveshjes për targat. Derisa Serbia i ka detyruar kosovarët të përdorin targa të përkohshme (“proba”), Kosova deri tani nuk e ka aplikuar një masë të tillë. Pas takimit të fundit në Bruksel, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, bëri të ditur se kësaj marrëveshjeje i ka skaduar afati pasi ka qenë e përkohshme. Ai kishte folur edhe për ndërhyrjet e Serbisë, të cilat konsistojnë në fushën e politikës, arsimit, shëndetësisë e ekonomisë.

Me probleme të shumta si pasojë e moszbatimit të marrëveshjeve, vazhdojnë të ballafaqohen edhe institucionet dhe agjencitë e tjera.

Nuk është bërë njohja bilaterale e certifikatave të veterinarisë, si dhe shkëmbimi në kohë reale i informacioneve në fushën e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe bimëve nëpërmjet programeve elektronike për kontroll kufitar, sipas modelit “Traces” që përdoret në BE.

Serbia po ashtu obligohet t’i shuajë strukturat dhe vulat e saj doganore paralele, të cilat aktualisht janë me emërtime të qyteteve të Kosovës.

Është shkelur edhe afati kur do të duhej të hapej pika e përbashkët e kalimit kufitar në Merdar. Me gjithë lehtësirat e krijuara në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, nuk janë arritur ende përfitimet, ashtu siç përcaktohen në Marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2014. Sipas asaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i ndërtojnë nga tri pikëkalime të përbashkëta kufitare. Ndërtimi i objekteve të përhershme të IBM-it ishte konsideruar e një rëndësie së veçantë për shkak të përfitimeve që do të kishin qytetarët nga të dyja shtetet. Ajo do të siguronte një prani të balancuar në shërbimet përkatëse, siç janë- Policia, doganat, kontrollet fito-sanitare.