Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, do t’u mundësohet marrja e pensionit kontributdhënës atyre qytetarëve që nuk e kanë përmbushur kriterin e përvojës së punës prej 15 vjetësh para janarit të vitit 1999. E me ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme do të mundësohet zbritja prej 100 eurosh në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023
Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetë të Kuvendit kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimit e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë pensionin kontributdhënës me mijëra qytetarëve.
Miratimi është bërë në lexim të dytë, në procedurë të përshpejtuar të enjten në mbrëmje.
Ndryshimet në Ligj janë bërë me vonesë prej gati dy javësh nga afati i përcaktuar prej Gjykatës Kushtetuese për hyrjen e tij në fuqi më 15 korrik.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me ndryshimet e bëra do t’u mundësohet marrja e pensionit kontributdhënës atyre qytetarëve që nuk e kanë përmbushur kriterin e përvojës së punës prej 15 vjetësh, para janarit të vitit 1999.
“E kemi sjellë këtë projektligj, i cili më në fund e rregullon çështjen e diskriminimit të atyre që nuk kanë mundur, pa fajin e tyre, të plotësojnë kriterin prej 15 vjet përvojë pune dhe të llogaritet si pension kontribut-pagues”, ka thënë ai në seancë.
Projektligji e mori mbështetjen edhe të deputetëve të dy partitë opozitare – Lidhjes Demokratike (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Por ata kanë shprehur edhe kritika për përmbajtjen e tij.
Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se Ligji do të vazhdojë të jetë diskriminues po qe se prej Projektligjit nuk largohet paragrafi 2.4 i nenit 8.
“Diskriminimi prej 15 vjetësh që ka qenë nuk është hequr në tërësi, ministër. Tash është ulur në pesë vjet. Bashkimi i periudhave që po thuhet që duhet të bëjë 15 vjet, që nënkupton dikush duhet t’i ketë 5 vjet përvojë pune para përjashtimit, para masave të dhunshme, në mënyrë që me u bashku me këtë 10-vjeçarin e masave të dhunshme dhe me u kualifikuar për pensionin parcial. Andaj, është mirë të largohet ky nen”, është shprehur ajo.
Ministri Murati nuk ka dhënë përgjigje specifike nëse neni do të largohet, porse ka theksuar që vërejtjet e diskutuara do të trajtohen në kuadër të reformës së përgjithshme pensionale.
Polemikë meritash
Pas debatit për çështjen, deputetët janë përfshirë në diskutime brendapartiake mbi meritat për ndryshimin e Projektligji. Shkas për polemika është bërë deklarata e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ia atribuoi meritat një ish-deputeteje të partisë së tij.
“Kjo iniciativë burimin e ndryshimit e ka nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në atë kohë bartëse ka qenë Teuta Haxhiu dhe sot bartës është Shemsedin Dreshaj”, ka thënë ai. E atij i replikoi bashkëpartiakja Albena Reshitaj, duke theksuar se ndryshimet i pati kërkuar ajo gjatë kohës sa ishte kryesuese e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
“Meqë deputeti Besnik nuk ka qenë deputet në legjislaturën e kaluar, sikur nuk e kanë informuar mirë se kush ka qenë iniciatore e plotësim- ndryshimit të këtij projektligji”, i ka thënë ajo.
Por ministri Murati i ka quajtur “joserioze” nismat e mëhershme.
“Ka pasur iniciativa edhe më herët, u tha. Mirëpo më lejoni t’jua rikujtoj që ato iniciativa, me sa më kujtohet, kanë paraparë që ndikimi buxhetor të jetë 3-4 milionë euro në vit, që nuk ka qenë realiste. Tash e kemi një projektligj që është përllogaritur me ndikim buxhetor 60 milionë euro në vit, që është dallim substancial”, ka thënë ai.
Projektligj është nxjerrë për votim në seancë të jashtëzakonshme, pas vendimit të vitit të shkuar të Gjykatës Kushtetuese që Qeverisë e Kuvendit u pati caktuar afat deri më 15 korrik për t’i bërë ndryshimet e nevojshme dhe për ta miratuar ligjin. Me këtë vendim, Gjykata e kishte shfuqizuar paragrafin dy të nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale, me të cilin pensionistët me më pak se 15 vjet përvojë pune para luftës ishin privuar nga e drejta për pension kontributdhënës.
Miratohet zyrtarisht zbritja e 100 eurove nga tatimi në pronë
Deputetët e kanë miratuar edhe në lexim të dytë, nëpërmjet një seance tjetër të jashtëzakonshme, edhe ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, duke e mundësuar zbritjen prej 100 eurosh në faturat e tatimit në tonë për vitin 2023.
Ministri Murati ka thënë se nëpërmjet këtij ligji mundësohen edhe lirimet tatimore për banimin primar dhe për tokën bujqësore.
Në Ministrinë e Financave kanë thënë se me këtë ligj do të ketë kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos e tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024, si dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.
Rivlerësimi i pronave në fillim të vitit nga Ministria e Financave pati nxitur reagime të shumta në opinion. Në disa zona, veçanërisht në kryeqytetin Prishtinë, tatimi në pronë është rritur për 100 për qind. Komunat dhe Ministria ia bartnin fajin njëra-tjetrës.
Kuvendi përmbyll pikat e grumbulluara nga 11 seanca të papërfunduara
Në seancën e rregullt, të enjten paradite, që ishte vazhdim i 11 seancave të papërfunduara, deputetët i kanë përmbyllur pothuajse të gjitha pikat e grumbulluara. Deputetët kanë miratuar Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, kanë emëruar dy anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe kanë zgjedhur dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Ndërkaq për sesionin vjeshtor ka mbetur shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vjet mandat të Qeverisë dhe votimi i propozim-rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës. Në seancën e sotme, pjesë e votimit herë pas here u bënë edhe dy partitë opozitare LDK e AAK, derisa në mes të punimeve PDK-ja lëshoi sallën.
Gazetarët bojkotojnë punën në Kuvend
Gazetarët kanë bojkotuar seancën e dytë të Kuvendit, të mbajtur të enjten pasdite. Ata në mënyrë demonstrative lëshuan sallën, pasi iu kufizua hapësira përmes një shiriti. Pak para se të niste seanca e re, zyrtarë të Kuvendit vendosën një shirit në ballkonin ku qëndrojnë gazetarët me arsyetimin se kjo po bëhet për sigurinë e tyre. Por ky kufizim, ndër të tjera, pamundësoi edhe pamjen e plotë të sallës. Për vendimin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Në reagim thuhet se vendimi është tentim për të vështirësuar raportimin profesional dhe të plotë nga Kuvendi.