Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se pavarësisht diskutimeve të brendshme në Bashkimin Evropian, nuk pritet që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të hiqen para 28 dhjetorit – ditës kur mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai theksoi se procesi i heqjes së masave tani lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të kryhet transferimi i pushtetit lokal në veri.
Palokaj ka thënë se shumica e vendeve të BE-së tradicionalisht kanë qenë pro heqjes së masave, por disa shtete – në veçanti Franca dhe Italia – po mbajnë qëndrime hezitues, ndërsa Komisioni Evropian po e shfrytëzon këtë kundërshtim për të mos ndërmarrë hapa konkretë.
“Komisioni ka një qëndrim jo aq transparent. Sa herë që thuhet se Kosova ka përmbushur disa kritere, dalin kërkesa të reja. Në dokumentin e fundit shihet qartë se heqja e masave është lidhur me transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat veriore, dhe që ai transferim duhet të bëhet tërësisht sipas ligjeve të Kosovës”, u shpreh Palokaj në “Interaktiv” të KOHËS.
Seanca inauguruese e kuvendeve në komunat veriore është caktuar më 5 dhjetor. Në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan fitoi Lista Serbe qysh në raundin e parë.
Tutje, Palokaj ka thënë se BE-ja ka humbur besimin ndaj institucioneve të Kosovës që nga tensionet e majit 2023, kur kryetarët shqiptarë në veri hynë në objektet komunale, që më pas u shkaktuan trazira.
“Nuk pres heqje të masave para 28 dhjetorit, sepse shumë diplomatë mendojnë se situata në veri vazhdimisht është shfrytëzuar për përplasje politike të brendshme në Kosovë. Edhe fakti që Kosova gjendet nën masa, është shndërruar në argument politik të brendshëm”, u shpreh ai.
Sipas Palokajt, drafti i tekstit të Këshillit të BE-së për zgjerimin, për të cilin aktualisht po diskutojnë shtetet anëtare, përfshin kritika më të ashpra për Serbinë sesa për Kosovën. Vendet e BE-së kritikojnë Beogradin për mosndjekjen penale të përgjegjësve për dhunën në veri – përfshirë sulmet ndaj KFOR-it, gazetarëve dhe rastin e Banjskës – si dhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Në këtë dokument nuk përmendet fare aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE”, theksoi Palokaj.
KOHA sot raportoi ekskluzivisht mbi përmbajtjen e draftit të tekstit të Këshillit të BE-së për zgjerimin. Ky dokument pritet të miratohet në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në muajin dhjetor.