Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj komenton vizitën e paparalajmëruar të Sorensenit

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se është befasi që emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të vizitojë të shtunën në mëngjes Kosovën. Megjithatë, ai ka thënë se mungesa e transparencës në dialog e bën këtë vizitë të paparalajmëruar “të mos duket edhe aq befasi”.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Palokaj ka thënë se është pothuajse e qartë që vizita e Sorensenit lidhet me afatin për nisjen e zbatimit të Ligjit për të huajt, që ka shkaktuar pakënaqësi te serbët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Supozoj se kjo vizitë me gjasë bëhet për të koordinuar veprimet e Kosovës apo për të sqaruar gjërat mes të BE-së dhe Kosovës. Edhe ky element është pak a shumë në kuadër të asaj që kemi thënë disa herë se BE-ja nuk po insiston sa duhet për të sqaruar gjërat sepse fjala në këtë rast është për diçka që ishte rezultat i dialogut në të kaluarën e në anën tjetër BE-ja insiston që të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën, duhet të zbatohen”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe pse BE-ja në disa raste i ka cilësuar veprimet e Kosovës si të njëanshme e të pakoordinuara, e drejta e Kosovës për të vepruar nuk është vënë në dyshim. “Por ajo që u tha ishte se ‘s’duhet të bëhen në atë moment apo të koordinoheshin më mirë me faktorin ndërkombëtar dhe të merreshin parasysh shqetësimet e popullatës lokale’”, ka thënë Palokaj.

Ai ka thënë se nuk duhet parë me habi reagimin kundërshtues të serbëve.

“Është e qartë edhe në reagimet e serbëve, që ata në fund e sqarojnë se ku e kanë problemin kryesor e ai është se duan ta trajtojnë Kosovën si pjesë të tyre. Për shembull thonë se si mund të jenë serbët në vendin e tyre të huaj. Por serbët e Kosovës nuk janë të huaj. Janë shtetas të Kosovës. Nëse Kosova është shtet dhe e konsideron veten shtet dhe vendet tjera e kanë njohur Kosovën, çdokush që vjen nga Serbia e s’është shtetas i Kosovës – është i huaj. Kështu që në parim s’do të duhej të kishte probleme, por ja që bashkësia ndërkombëtare gjithmonë e gjen një vegëz që ‘po në rregull këto janë obligime që duhet zbatuar në mënyrë të koordinuar’ – si ura e Mitrovicës që e ka financuar BE-ja e s’u hap e Kosova i ndërtoi dy të tjera pranë saj”, ka shtuar ai.

Palokaj ka thënë se nuk duhet harruar edhe qëndrimi i vazhdueshëm i serbëve që edhe Kosova ka obligime pa i zbatuar nga dialogu, përfshirë këtu Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e se me të do të duhej të barteshin disa nga përgjegjësitë e strukturave serbe.