11:50 - Sapo fillon shi, serbët mbyllin çadrat sërish për gazetarët
Megjithëse situata është e qetë në Leposaviq, ka disa persona që kanë dalë para Komunës.
Posa ka filluar shiu, serbët aty kanë mbyllur çadrat duke mos lejuar mediat të futeshin nën to.
Kryetari i komunës, Lulzim Hetemi, është ende brenda objektit.
11:16 - Pak protestues sot në Zveçan
Pak protestues janë parë të shtunën në Komunën e Zveçanit.
Ata janë nënshkruar në listat e evidencës edhe sot dhe po qëndrojnë afër ndërtesës së komunës.
Situata në këtë komunë është e qetë.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.
Edhe në dy komunat tjera veriore të vendit, Leposaviq dhe Zubin Potok, situata është e qetë.
Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën, 29 maj, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave./ KP