Arbëri

Pak muaj pas marrëveshjes, transportuesit nga Podujeva protestojnë para Komunës së Prishtinës

Shoqata e Transportit të Autobusëve Podujevë – Prishtinës

Rreth pesë muaj pasi arritën marrëveshje me Komunën e Prishtinës, transportuesit nga Podujeva u janë kthyer protestave para objektit të komunës. Shoqata e Transportit të Autobusëve Podujevë – Prishtinës ka kundërshtuar të martën me protestë qëndrimin e Komunës që autobusëve të mos u lejohet kthimi te “Xhamia e Llapit”.

Një ditë më parë, Policia në bashkëpunim me komunën ua ndaloi autobusëve kthimin te “Xhamia e Llapit”. Komuna ka thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes së arritur në mars. Qysh atë kohë, ishte vendosur që të gjithë autobusët ndërurbanë të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve.

Në mars, transportuesit nga Podujeva kishin qëndruar për disa ditë në grevë deri në arritjen e marrëveshjes me komunën. Sipas marrëveshjes, autobusët nga Podujeva duhej të vijnë deri te “Xhamia e Llapit” dhe të kalojnë nga rruga “Zagrebi” për në Stacion të Autobusëve.

Të dielën, në një njoftim në Facebook, Komuna e Prishtinës i quajti shqetësuese dhe shkelje të marrëveshjes së ndërsjellë raportimet se disa operatorë nga Podujeva po synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe të ndalojnë te “Xhamia e Llapit”.

“Theksojmë se veprime të tilla nuk do të lejohen. Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve. Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike”, thuhej në njoftim.