Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pagesa prej 3 eurosh për natë për shoqëruesit e pacientëve shihet si barrë shtesë për familjet

SHSKUK i jep kontratë për material të dializës

Foto: Arkiv

Vendimi i Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për të nisur zbatimin e pagesës prej 3 eurosh për një natë për shoqëruesit e pacientëve është cilësuar si barrë shtesë për familjet nga Shoqata për të drejtat e pacientëve në Kosovë (PRAK). 

Pagesa e cila është e përcaktuar në Udhëzimin administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore që ka hyrë në fuqi në vitin 2024, ka nisur të zbatohet para rreth dy javësh. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shoqata ka shprehur shqetësimin lidhur me këtë pagesë, duke theksuar se përcjellësi nuk është vizitor, por siç thuhet, shpesh pjesë e domosdoshme e kujdesit ndaj pacientit. 

Në një reagim të Shoqatës thuhet se familjarët ndihmojnë në sigurimin e barnave dhe analizave jashtë institucionit publik, ushqyerje, higjienë, mobilizim dhe mbështetje emocionale, veçanërisht për fëmijët, pacientët e moshuar, kronikë ose me kufizime funksionale.

“Vendosja e një pagese për këtë rol krijon barrë shtesë për familjet, prek në mënyrë disproporcionale kategoritë e ndjeshme dhe rrezikon të penalizojë një mekanizëm mbështetës që vet sistemi e konsideron të nevojshëm”, thuhet në reagim. 

Shoqata ka bërë thirrje për forcim të kapaciteteve të personelit. “PRAK vlerëson se sfidat infrastrukturore dhe organizative të spitaleve nuk duhet të zgjidhen përmes tarifimit të familjarëve, por përmes politikave të qëndrueshme që: forcojnë kapacitetet e personelit, përmirësojnë shërbimet mbështetëse, dhe sigurojnë standarde dinjitoze të qëndrimit për pacientët”, thuhet në reagim.

PRAK-u u ka bërë thirrje institucioneve që të heqin këtë tarifë dhe t’i shtojnë kapacitetet brenda spitalore për të përmbushur nevojat e pacientëve.

“Një institucion që dëshiron të punojë drejtë, qasja e tij fillon duke adresuar nevojat e njerëzve për shërbime, e jo duke i sanksionuar ato. Pacienti nuk duhet të ndëshkohet për faktin që ka nevojë për mbështetje”, thuhet në reagim.

Zëdhënësja e QKUK-së Mirlinda Qyqalla ka thënë se QKUK-ja është duke vepruar në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ.

“Sipas këtij udhëzimi, përcjellësit e pacientëve mbi moshën 15 vjeç janë të obliguar të paguajnë një tarifë prej 3 euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së. Ky obligim zbatohet në të gjitha klinikat, me përjashtim të Klinikës së Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht se pacientët mund të jenë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së. Përjashtim nga pagesa bëjnë gjithashtu përcjellësit e pacientëve nën moshën 15 vjeç”, është shprehur Qyqalla.

Ajo ka thënë se qëllimi i masës është reduktimi i numrit të përcjellësve brenda klinikave. 

“Qëllimi i kësaj mase është reduktimi i numrit të përcjellësve brenda klinikave, me synim përmirësimin e funksionimit normal të shërbimeve shëndetësore, ruajtjen e rendit, si dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor”, ka deklaruar Qyqalla.

Ajo ka thënë se sa u përket pacientëve me sëmundje kronike, menaxhmenti i QKUK-së është duke zhvilluar diskutime të brendshme dhe ndërinstitucionale lidhur me çështjen e bashkëpagesave për këtë kategori.

Qyqalla ka thënë se “QKUK inkurajohet të sigurojë kushte minimale për përcjellësit e pacientëve, përfshirë vende për ulje dhe hapësira të përshtatshme, veçanërisht në klinikat ku pacientët janë në trajtim post-operativ apo kërkojnë kujdes të veçantë”. “Theksojmë se bashkëpagesa për përcjellësit nuk zëvendëson në asnjë rrethanë kujdesin infermieror dhe shërbimet profesionale shëndetësore që u ofrohen pacientëve”, ka deklaruar ajo.