Arbëri

Padia ndaj ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës paralajmërohet për të premten

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind nga 1 maji do të sfidohet në gjykatë, në fund të kësaj jave. 

Ardian Bajraktari, avokat i angazhuar nga grupi protestues “Asnjë cent më shumë”, ka bërë të ditur se të martën e ka pranuar vendimin e plotë të ZRRE-së dhe se deri të premten do ta dorëzojë padinë në gjykatë.

Ai ka theksuar se në vendim ka evidentuar një sërë shkeljesh. 

“Procesi është shoqëruar me një varg parregullsish, përfshirë mungesën e theksuar të transparencës, mungesën e konsultimeve në pajtim me afatet dhe detyrimin ligjor që ka Zyra e Rregullatorit të Energjisë, dhe arsyetimi i vendimit, në bindjen time, në masë të madhe është i paqëndrueshëm, nuk merret për bazë aspekti ekonomik, social, impakti që ka ky vendim, parashikueshmëria sipas nenit 70 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme administrative që autoritetet rregullatore duhet ta ndërmarrë në raste të tilla”, ka theksuar Bajraktari.

Krahas padisë, Bajraktari ka përsëritur të mërkurën se do të paraqesë kërkesë për gjykatën edhe për masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së. 

“Do të bëjmë propozim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, si masë për sigurimin e padisë, për faktin se po përpiqemi të argumentojmë që plotësohen kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 99 dhe 100 të Ligjit për Konflikt Administrativ, për faktin se përmes këtij vendimi dëmet janë vështirë të riparueshme”, ka thënë ai.

Sfidimit ligjor të vendimit të ZRRE-së do t’i bashkohet edhe Shoqata e Pensionistëve. 

Në këtë shoqatë kanë thënë të mërkurën se këtë vendim e kanë marrë, pasi që shtrenjtimi i rrymës e rëndon situatën financiare të pensionistëve.

Se pensionistët janë një prej kategorive që pritet të dëmtohen më së shumti nga vendimi i ZRRE-së e thotë edhe eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa. 

“Si rezultat i diversitetit të madh të familjeve që i kemi në Kosovë, ndoshta do të kemi një rritje të numrit të familjeve që bien në varfërinë energjetike, çka nënkupton që ata nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike”, ka theksuar ai.

Ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, mundësinë për ngritjen e një padie të veçantë e kanë paralajmëruar më herët edhe përfaqësues të bizneseve.