Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPacolli në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se rastet në zonat kadastrale Bibaj dhe Fshati i Vjetër kanë prodhuar pasoja financiare për buxhetin e shtetit.
“Ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet vlerësimeve nga Departamenti i Vlerësimit të Pasurisë së Paluajtshme, gjendjes reale në terren dhe vendimmarrjes gjyqësore. Këto mospërputhje kanë prodhuar pasoja të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit, si dhe kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë dhe drejtësinë e vendimeve të marra”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka treguar edhe konstatimet që janë nxjerrë.
Sipas saj, shpronësimi i parcelës kadastrale numër 700-9 është realizuar në dy faza, përkatësisht në sipërfaqe prej 5450m2 dhe 2867m2, me vlerësim fillestar prej 32 euro për metër katror, të përcaktuara nga Ministria e Financave, organ kompetent për vlerësimin e pronave. Ajo ka thënë se ky vlerësim është pranuar nga pronari në fazën e parë pa u ushtruar ankesë.
Por Pacolli ka thënë se me vendim të Gjykatës vlerësimi fillestar për njërën pjesë të parcelës është rritur.
“Së dyti, në pjesën e shpronësimit shtesë prej 2867m2, megjithëse vlerësimi fillestar ka qenë 32 euro për metër katror, Gjykata Themelore në Ferizaj me aktvendimin numër 436/19 të datës 21.09.2023 ka përcaktuar vlerë të re prej 90 euro metër katror. Duke u krijuar një diferencë prej 58 euro metër katror. Kjo rritje përbën trefishim të vlerës fillestare dhe nuk reflekton një harmonizim me vlerësimet e parcelave përreth, të cilat sipas akteve zyrtare sillen nga 15 euro metër katror deri në 33 euro metër katror. Së treti, gjykata ka njohur edhe të drejtën për kompensim për vlerë të humbur të pjesës së mbetur të pronës prej 5347m2, duke aplikuar norma prej 90% dhe 30% të humbjes së vlerës për segmente të ndryshme të saj. Megjithatë, nga verifikimi në terren konstatohet se prona në fjalë jo vetëm që nuk ka humbur vlerë, por përkundrazi, ka përfituar nga zhvillimi infrastrukturor, konkretisht nga pozicionimi në nyjën kyç të autostradës R6 dhe lidhjes me rrugën rajonale Ferizaj-Gjilan. Së katërti, përdorimi aktual i një pjese të kësaj prone për aktivitete ekonomike tregon qartë potencial të shtuar zhvillimor dhe ekonomik, për çka bie ndesh me konstatimin për humbje të vlerës deri në 90%. Së pesti, vendimi gjyqësor ka prodhuar obligim financiar shtesë për shtetin në vlerë prej 600 mijë euro, përfshirë diferencën në çmim, kompensimin për vlerën e humbur dhe kamatat. Ky obligim është dukshëm joproporcional në raport me vlerësimet fillestare me tregun përreth. Ekziston një mospërputhje e theksuar ndërmjet vlerësimeve zyrtare institucionale, gjendjes reale në terren dhe vendimit gjyqësor”, ka theksuar Pacolli.
Sipas saj kjo paraqet rast shqetësues të keqmenaxhimit të parasë publike.
“Ky është një rast shqetësues që lidhet me menaxhimin e parasë publike dhe me mënyrën se si po trajtohen proceset e shpronësimit në vendin tonë. Në rastin konkret, pra të kësaj parcele, shteti fillimisht ka bërë vlerësim profesional prej 32 euro për metër katror, një vlerë e bazuar në standarde dhe e krahasueshme me parcelat përreth. Por, ashtu siç e thashë edhe më lart, siç ka ndodhur më pas, vendimi gjyqësor ka rritur vlerën në mënyrë drastike, ku prej 32 euro për metër katror, në 90 euro për metër katror, pra trefishim i çmimit”, ka theksuar Pacolli.
Rasti i dytë ajo ka thënë se ka të bëjë me parcelën në Fshatin e Vjetër ku ajo ka thënë se shtetit i duhet të paguajë 1 milionë e 711 mijë euro. Pacolli ka thënë se për këtë kërkohet hetim i plotë.
“Një rast të dyshimtë të tjetërsimit të pronës publike në Komunën e Ferizajt. Bëhet fjalë për parcelën kadastrale 579-13, në zonën kadastrale Fshati Vjetër, me sipërfaqe prej 3.51 hektarë. Ekzistojnë dyshime të bazuara se kjo pronë publike është tjetërsuar mbi bazën e dokumentacionit të pamjaftueshëm për verifikim, me elemente serioze të dyshimit për falsifikim dhe parregullsi procedurale. Tjetërsimi është mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt, numër 608/96 të datës 03.09.1997, si dhe me aktvendimin numër 03-78/38-0720 të datës 07.06.2021, të lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Pacolli ka thënë se pas regjistrimit të kësaj prone në kadastër, parcela është përfshirë në procedurat e shpronësimit për realizimin e një projekti me interes publik.
“Si rezultat, tani kërkohet që shteti të kryejë pagesën në vlerë prej 1 milion e 711 mijë euro në emër të kompensimit për shpronësim. Kemi arsye serioze edhe për këtë rast të dyshojmë se kemi të bëjmë me një skemë të organizuar të përfitimit të paligjshëm në dëm të pronës publike dhe të buxhetit të shtetit. Për këtë arsye, kërkojmë hetim të plotë nga organet e drejtësisë dhe verifikim të përgjithshëm të dokumentacionit dhe procedurave që kanë çuar deri tek regjistrimi dhe trajtimi i kësaj prone. Ne do të jemi të pakompromis në raport me çdo rast që cenon paranë publike. Pra, çdo rast që na paraqitet qoftë prej qytetarëve, qoftë prej individëve të ndryshëm që janë të angazhuar në këto institucione, çdo dyshim i bazuar për keqpërdorim do të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe do të ndiqet deri në fund. Pra, ne si ministri do t’i paraqesim ato para jush si media dhe do të ftojmë prokurorinë për secilin rast që ne e evidentojmë gjatë punës sonë”, ka deklaruar Pacolli.