Komuna e Prishtinës ka shprehur qëndrimin se nuk do ta plotësojë kërkesën e kompanive të autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë, për t’u kthyer te Xhamia e Llapit. Për pasojë, përfaqësues të këtyre kompanive kanë qëndruar në grevë edhe në ditën e katërt, dhe kanë thënë se transporti do të mbetet i bllokuar deri në një zgjidhje
As në takimin e mbajtur të premten nuk është arritur marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Shoqatës së Autobusëve në linjën Podujevë-Prishtinë. Për pasojë, transporti në këtë relacion ka mbetur i pezulluar, meqë pa një zgjidhje, përfaqësues të kompanive të autobusëve kanë thënë se nuk largohen nga greva e nisur katër ditë më parë.
Përfaqësuesi i Shoqatës, Sadat Kurtolli, ka thënë se operimi i kompanive në kushtet e tanishme është i pamundur.
“Na kemi kërkuar të na kthehet Xhamia e Llapit si venddalje për udhëtarët e Komunës së Podujevës. Kemi kërkuar një kioskë që të vendoset diku për t’i rimbursuar udhëtarët e Podujevës biletat që ta përdorin trafikun urban në Prishtinë, as këtë nuk e kanë bërë. Kemi kërkuar me e largu autobusin 13, 22 dhe tjetrin që shkon për në Kozaricë, ata po ndalen nëpër vendstacione tona dhe po marrin udhëtar, as atë nuk e ka bo”, ka bërë të ditur Kurtolli.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Autobusëve në linjën Podujevë-Prishtinë, Sadat Kurtolli, tha se në takim me përfaqësuesit e Komunës nuk është shprehur pajtim me opsionet e ofruara.
“Kërkesat e Komunës janë për me u ndal tek Ura e Gurit, për me i marrë udhëtarët dhe me i zbrit. Janë disa opsione edhe pak më poshtë te Tjegullorja atje, por është vendi i papërshtatshëm, sepse aty janë edhe shinat e trenit që nuk e lejojnë për me u ndal aty në anën e djathtë, është shumë vend i papërshtatshëm. Veçse me na lan keq e ma keq e për keq e ma keq na edhe ashtu jemi keq. Qe një javë i kemi lanë udhëtarët pa transport, pe vazhdojmë grevën”, ka theksuar ai.
E në Komunën e Prishtinës thanë se kërkesa për kthimin e autobusëve te Xhamia e Llapit nuk do të pranohet.
“Shoqata e Autobusëve të Podujevës marrëveshjen e arritur në fillimvit është dashur ta respektojë edhe tash, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kërkesa kategorike e tyre është kthimi nga Xhamia e Llapit, por kjo kërkesë nuk plotësohet nga Komuna, sepse e njëjta bllokon trafikun dhe krijon mundësinë që pastaj edhe linjat ndërurbane të qyteteve të tjera të kërkojnë të futen nëpër qendër të qytetit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Pasojat e grevës po i ndiejnë më së shumti udhëtarët nga Podujeva që çdo ditë e kanë destinacion kryeqytetin. Ata janë ankuar për mungesën e transportit dhe vështirësitë që po u shkaktohen.
“Unë prej kontrolle erdha e tash duhet me pritë, me çka me shku andej”, ka deklaruar për KOHËN, të enjten, Selman Berisha, i cili udhëton rregullisht drejt Prishtinës për kontrolle mjekësore. “Kjo është shumë e vështirë, edhe nëse vazhdon kështu, shkaku i gjendjes shëndetësore duhet me nejtë në shtëpi se nuk ke qysh”.
Udhëtarët janë ankuar edhe për abuzimet me çmime nga taksitë ilegale që operojnë në këtë aks rrugor.
“Mua të hënën më ka ndodhur, prej Vranijevcit në Lluzhan 1.50 euro e kam paguar biletën e në kushte normale në autobus e kam gratis. Vështirë është tepër. Unë me kombi po udhëtoj. Në Batllavë jetoj e në Lluzhan duhet me u ndalë e që kushtojnë 1 euro e gjysmë, pastaj aty me pritë në mëshirën e zotit, kush po kalon me të marrë”, ka thënë Berisha.
Greva e përfaqësuesve të shoqatës së autobusëve “Llapi” të premten ka hyrë në ditën e katërt.