Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Për këtë paln kanë votuar 65 deputetë dhe kanë abstenuar 8.
Në vazhdimin e seancës që është duke u mbajtu të mërkurën, ky Plan është mbështetur nga deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, por është kundërshtuar nga opozita.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se si parti do të përmbahen nga votimi.
“Si Grup Parlamentar i PDK-së konsiderojmë që Ministria ka bërë një punë të mirë por kemi marrë vërejtje dhe ankesa nga banorët dhe si GP do të përmbahemi sot nga votimi. Do të ishte mirë që të bëhet kthimi prapa i këtij plani dhe të hyhet në një diskutim më thelbësor për ti diskutuar vërejtjet e banorëve. Kësisoj ne nuk do të marrim pjesë në votim”, ka theksuar Thairi.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka folur lidhur me kërkesat e banorëve të asaj pjese. “Qytetarët nuk pranojnë të vendosin kurrfarë laure. Kanë kërkuar që pronat private të largohen nga parku kombëtar. Kanë kërkuar tu njihet e drejta e legalizimit të objekteve të ndërtuara sipas planit hapësinor”, ka theksuar Mustafa.
Kritika për Planin ka pasur edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
Sipas tij ky draft ka shumë pasaktësi dhe është i përditësuar.
Ndërkohë që nuk ka kaluar Propozim-rezoluta për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, debati për të cilën ka përfunduar në njërën nga seancat e kaluara.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar që pika për ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për lirinë fetare në Kosovë të shtyhet derisa të krijohen kushtet për votim, pasi nevojiten edhe votat e komunitetit serb. Konjufca ka thënë se shqyrtimi i këtij projektligj me karakter vital duhet të shtyhet derisa të krijohen kushtet në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projektligjin për pensionimin e parakohshëm të policëve dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore. Ky projektligj është propozuar nga Partia Demokratike të Kosovës.
Sërgjan Sentiq zgjidhet zëvendës i Avokatit të Popullit
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka zgjedhur Sërgjan Sentiq si zëvendës të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
Sentiq siguroi gjithsej 53 vota, ndërsa kundërkandidatët e tij, Admir Rama mori 8 vota, Ardian Maksuti 1 votë , Sead Ibishi 3 vota kurse Esmir Kasi dhe Maria Raduloviq nuk morën asnjë votë.
Në votim për zgjedhjen e zëvendësit të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë morën pjesë 73 deputetë.