Me një stendë pa program dhe me slogan të përsëritur “Ready for you!” (Gati për ju), Kosova është paraqitur në Panairin më të madh të turizmit në botë - ITB 2019, në Berlin, në mars të këtij viti. Kjo dëshmon joseriozitetin që institucionet kanë karshi zhvillimit të turizmit në Kosovë dhe afirmimit të mbi 1 mijë destinacioneve që mund të vizitohen.
Të dhënat e fundit tregojnë për rritje të numrit të turistëve dhe kjo falë angazhimit të sektorit privat, porse ky numër nuk ka mundur të përkthehet në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre.
Mesatarja e qëndrimit të turistëve nuk mbërrin në dy ditë. Arsyet janë të shumta. Mungesa e infrastrukturës, e legjislacionit dhe e organizimit institucional e vështirëson promovimin e këtij sektori, shkruan sot Koha Ditore.
Në nivel të Qeverisë, menaxhimi i këtij sektori i është lënë një departamenti në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ky departament ka pesë të punësuar dhe buxhet prej vetëm 50 mijë euro në vit për turizmin.
Këshilli i Turizmit, i themeluar fillimisht më 2013 e më pas i rithemeluar më 2017 nuk funksionon si duhet. Promovimi i turizmit i është lënë Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila nuk e ka prioritet vetëm turizmin.
Përveç Ligjit për turizmin, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013, nuk ka asnjë legjislacion dytësor konkretizues. Edhe ligji aktual nuk zbatohet dhe ka mangësi të shumta. Ky ligj nuk zgjedh as çështjen e guidave dhe ciceronëve.
Për pasojë mungojnë të dy këto shërbime. Në mungesë të tyre, grupet e turistëve që vijnë nga vende të tjera paguajnë guida nga Maqedonia apo Shqipëria për ta eksploruar Kosovën. Ndërkohë, për të eksploruar vendet në Maqedoni nuk mund ta bësh pa një guidë maqedonase, pasi kjo parashihet me legjislacionin atje....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)