Me rastin e shënimit të 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria e Kosovës të premten miratoi themelimin e Këshillit Shtetëror për këtë përvjetor.
Si rrjedhojë, Organizata e Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, e themeloi këshillin për organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremoniale në kuadër të kësaj ngjarjeje me arsyen se nuk u ftua nga Qeveria e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, Gazmend Syla tha se ishin të obliguar të krijonin këtë këshill në mënyrë që të mos mbesin jashtë organizimeve.
“Meqenëse ne nuk u përfshimë në këshillin shtetëror që e krijoi Qeveria e Republikës së Kosovës, në njëfarë forme ne u obliguam si shoqata të dala nga lufta, që të kemi kujdes të veçantë në këto ditë historike. Prandaj e kemi menduar që të edhe ne të krijojmë një këshill, në këtë rast me disa personalitete, domethënë që kanë kontribuar, në fakt janë edhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj luftëtarë të UÇK-së. Sigurisht që emrat e tyre janë më shumë ndoshta për simbolikën e tyre, për aktivitetin e tyre që e kanë pasur për çlirim të vendit”, tha Syla për agjencinë e lajmeve Kosovapress.
Por, ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar Ministria e Mbrojtjes. Në reagim thuhet se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, janë përfshirë në organizimin e Epopesë së UÇK-së dhe i është dërguar edhe ftesë zyrtarë përfaqësuesit të OVL-UÇK-së për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i cili kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, bashkëkryesuar nga Andin Hoti, ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare. Në këtë vendim parashihet shprehimisht përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë përbërëse e këtij këshilli. Gjithashtu, sot i është dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesit të OVL UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i Këshillit do të mbahet nesër në ora 13:00”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në përvjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Më 5 mars 1998, forcat serbe sulmuan kullën e Jasharëve. Rezistenca zgjati deri më 7 mars, kur u shpallën të vrarë 56 anëtarë të kësaj familjeje, mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Rezistencën e udhëhoqën Adem e Hamëz Jashari.