Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “po përpiqet të politizojë dhe zbehë qëllimin e protestës” që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor.
Reagimi i OVL-së vjen pasi LVV-ja një ditë më parë derisa ka shprehur përkrahje për protestuesit ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama se pati ndikim për t’i bindur palët për votimin e themelimit të Gjykatës Speciale.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë”, thuhet në reagimin e organizatës.
OVL ka shprehur më tej se përmes protestës nuk kërkojnë “retorikë politike” por “drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë”.
“Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive. Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë”, thuhet në reagim.