Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar Enver Malokun në 27-vjetorin e vrasjes së tij.
Osmani ka thënë se Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit.
Ka shtuar se vrasja e Enver Malokut është krim që ende kërkon vënien e autorëve para drejtësisë. Sipas saj, është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës.
“Sot kujtojmë Enver Malokun, intelektualin e qetë, atdhetarin dhe bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte zëri i urtësisë dhe i dinjitetit në kohët më të rënda për Kosovën, arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën tonë përtej kufijve. Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit. I shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në rrugën tonë shtetformuese”, ka shkruar ajo.