Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas arrestimit të kameramanit të portalit “Paparaci”, Jetmir Muji, që ndodhi të mërkurën derisa sipas AGK-së, “ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të presidentes Osmani”.
Reagimit të saj Osmani i është referuar si reagim “ndaj përndjekjes së vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme që media të caktuara u bëjnë vajzave të mia të mitura”.
Ajo ka akuzuar, siç i ka quajtur, “të ashtuquajtur gazetarë”, për rrezikim të sigurisë së vajzave të saj, edhe në kohën kur ato ishin në një shkollë publike, e edhe tani.
Sipas saj, ato janë xhiruar pa leje paraprake.
“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëve të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot”, ka shkruar Osmani, ku ka treguar vajzat e saj për 5 vjet kanë vijuar mësimin në shkollën publike "Ismail Qemali" në Prishtinë.
“Përgjatë këtyre pesë viteve, sikurse edhe nxënësit e tjerë në këtë shkollë, edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të toaleteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka akuzuar siç ka thënë “të ashtuquajturit gazetarë” duke thënë se sipas organeve të sigurisë merren me veprime të kundërligjshme.
“Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj ata asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e siç ka thënë, “në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit”.
Sipas saj shoqërimi i vajzave të saj nga Policia parashihet me ligje.
“Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë. Kjo praktikë ekziston kudo në botë. Por çka dihet qartë është se një pjesë e rëndësishme e këtij rreziku shkaktohet pikërisht nga disa prej këtyre të ashtuquajtur gazetarë. Në cilin vend demokratik ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes? Në asnjë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka paralajmëruar se do të ndërmarrë çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj”.
Reagimi i plotë: