Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar qëndrimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se së fundmi ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Gjatë një ligjërate në Washington, Osmani ka thënë se Trumpi “është i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”. Osmani ka thënë se nuk bëhet fjalë për zhvillime të 2023-s apo 2020-s, por “zhvillime shumë, shumë të vona”.
“Nga informatat e sigurisë që i marr çdo ditë, Trumpi ka parandaluar një ndezje të mundshme së fundmi. S’po flasim për 2023-n, 2020-n, por për zhvillime shumë, shumë të vona”, ka thënë ajo.
Me këtë rast, Osmani ka thënë se nuk duhet të mohohet mundësia, duke kujtuar sulmin terrorist të 2023-s në Banjskë. Ajo ka shtuar se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se nuk duhet nënvlerësuar.
Ka lavdëruar KFOR-in për punën në siguri e stabilitet.
Në disa raste së fundmi, presidenti Trump ka përmendur ndërmjetësimin në raportet Kosovë-Serbi, duke thënë se ka parandaluar rikthimin e konflikteve.