Arbëri

Osmani thotë se Trumpi e parandaloi përpjekjen e Serbisë për përshkallëzim në maj

Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë punë të mirë në mbrojtjen e situatës nga tentimi i Serbisë për përshkallëzim në muajin maj. 

Në një intervistë dhënë “Fox News-it” gjatë qëndrimit të saj në New York, Osmani ka përmendur aktet e agresionit serb si ai në shtator të 2023-tës në Banjskë të Zveçanit, por dhe përpjekjet e fundit për përshkallëzim tensionesh në maj të këtij viti, të cilat, sipas saj, janë menaxhuar me sukses falë bashkëpunimit edhe me aleatët e NATO-s.

“Kemi pasur një numër  të shpërthimeve të papritura në vitet e fundit, si p.sh në shtator të 2023-tës kemi pasur një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Kemi arritur ta menaxhojmë atë me anë të mbështetjes së aleatëve të NATO-s, por ka kërcënime të vazhdueshme që vijnë nga Serbia. Majin e kaluar ka pasur një tjetër përpjekje për shpërthim (nëse mund ta quaj kështu) dhe kjo Administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për mbrojtje nga eksalimi. Presidenti gjithmonë ka qenë një lider që ka folur qartë, me forcë dhe bindje. Presidenti Trump ka qenë shumë i suksesshëm në mbrojtjen e eskalimet dhe nga e keqja”, ka shtuar Osmani. 

Ajo theksuar rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur në mbështetjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, si dhe sfidat e vazhdueshme që vijnë nga fqinji serb.

“Sot ne ekzistojmë si popull i lirë dhe sovran sepse SHBA-ja nuk ka qëndruar pa bërë asgjë, nuk i ka mbyllur sytë para vuajtjes sonë, pra derisa po përjetonim gjenocid, por na shpëtoi dhe besoi në të drejtën tonë për të qenë të lirë si popull,” u shpreh Osmani, duke nënvizuar se mbi 90 për qind e qytetarëve në Kosovë janë pro-amerikanë dhe vazhdojnë të mbajnë aleancën e fortë me Uashingtonin. “Serbia dëshiron të mbahet pas së kaluarës dhe kohë pas kohe tenton të shkaktojë probleme në rajon”, ka thënë Osmani.

Muaj më parë Osmani pati thënë se ka "informacione të besueshme" se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

"Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit", tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por "për zhvillime shumë, shumë të vona".