Arbëri

Osmani kërkon përgjegjësi institucionale për vdekjen e 27-vjeçarit

Presidenca

Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan.

Ajo përmes një komunikate për media ka kërkuar transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromisë.

“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje theksohet se të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.

“Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon komunikata.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës, me dyshimin se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugët e Lipjanit. Në një prononcim në KTV, vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka thënë se ai ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit.

Pesë zyrtarët policorë po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.