Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Interesimi i bashkatdhetarëve për Kosovën, më i madh se për vendin ku jetojnë

Osman Osmani

Aktivisti politik në diasporë, Osman Osmani, ka thënë se numri i madh i mërgimtarëve të interesuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë do të ketë ndikim më të madh por nuk mund të konsiderohet përcaktuese që një parti politike t’i fitojë të gjitha.

Osmani në emisionin “60 Minuta” në KTV është shprehur se bashkatdhetarët janë shumë më të interesuar për të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe politike në Kosovë, sesa në vendin ku jetojnë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Interesimi i bashkatdhetarëve për të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe politike është shumë i vogël në krahasim me interesin që e tregojnë një pjesë e bashkatdhetarëve tanë sa i përket votimit në vendin amë pa një motiv të dukshëm apo pa ndonjë ofertë të marrë nga subjektet politike, qoftë për përfshirje në vendimmarrje, qoftë në raport me zhvillimet aktuale në shoqërinë amë. E dimë se ka kaluar një vit e gjysmë nga bllokada institucionale të cilës nuk po i duket fundit e po shoqërohet edhe me urrejtje e përçarje”, ka thënë Osmani.

Sa i përket organizimeve të partive politike në diasporë, ndonëse akoma nuk ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani është shprehur se kryeministri në detyrë Albin Kurti flet shumë e nuk ofron diçka konkrete.

Ai ka cituar edhe kërkesën e një mërgimtari i cili ka kërkuar së paku dy banjo publike për t’i shfrytëzuar teksa presin me orë të tëra në kolonat e gjata për të hyrë apo dalë nga Kosova gjatë pushimeve.

“Kësaj radhe ka qenë një gjuhë më ekstreme e përdorur në tubimet në diasporë, sidomos nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai mundohet të prekë çdo temë, një lloj gjithologu, por nuk ofron asgjë sa i përket nevojave e përfshirjes së profesionistëve të diasporës në lista apo institucione. Është e çuditshme që tërë kohës ka pasur brohortije siç duket edhe të orkestruara por unë në ato fjalime nuk kam parë diçka konkrete. Bilës më rastisi ta shoh një vërejtje të një mërgimtari i cili tha që tash po vijnë pushimet verore dhe ne e dimë se sa na bie të presim kur vijmë në Kosovë, dhe u lut që Qeveria së paku të ndërtojë dy banjo publike për shkak të pritjeve në kolonat e gjata”, ka deklaruar Osmani.

Nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit, janë regjistruar 131 mijë e 901 persona.

Krahas atyre me postë, pjesa tjetër, mbi 25 mijë, do të votojnë fizikisht më 6 qershor në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.