Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Po të propozohesha nga VV-ja si kandidate e vetme, do të rizgjidhesha presidente

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, atëherë ajo do të rizgjidhej presidente. Vetëvendosje e kishte propozuar Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa më pas ia kishte premtuar edhe Osmanit 30 nënshkrime për t’u kandiduar. Osmani i refuzoi ato. 

Osmani në intervistë për “Syri TV” tha se ka pasur edhe përkrahjen e deputetëve të opozitës, sidomos të atyre nga LDK-ja. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pastaj pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë se ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën dhe natyrisht që e kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla, kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë duke ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal si gjithnjë, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të ishim duke diskutuar se si të kapitalizojmë nga përkrahja jashtëzakonisht e fuqishme e administratës Trump 2”, tha Osmani. 

Ajo tha se kur ishte qartësuar se mund të ketë shanse të mëdha të rizgjidhej, nga VV-ja erdhi vlerësim i ri, e personalisht nga Kurti, se nuk do ta mbështesë kandidaturën.  

“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtetë do të jenë aty, sepse e dini që LDK-ja ka thënë se s’ka pasur qëndrim refuzues për mua dhe ka pasur parti të tjera që fare nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im, por kur u  qartësua që unë kam shanse të zgjidhem, nga LVV-ja erdhi një vlerësim i ri dhe nga ai personalisht (Kurti) se nuk e mbështetë kandidaturën time”, tha Osmani. 

Osmani ka thënë se Kurtit ia ka besuar plotësisht dialogun Kosovë – Serbi. 

“Tradicionalisht dhe me Kushtetutë, presidenti merret me politikën e jashtme. Unë kryeministrit Kurti ia kam besuar plotësisht dialogun. Jam presidentja e parë dhe e vetme që nuk kam dërguar përfaqësues në dialog. Presidenti Thaçi e ka pasur përfaqësuesin e tij në dialog kur kryeministri Mustafa e udhëhiqte atë edhe presidentja Jahjaga ka pasur përfaqësuesin e saj në dialog”, tha Osmani. 

Ajo tha se për shumë marrëveshje e kishte kuptuar në media. 

“Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, përkundër faktit që për shumë marrëveshje e kam kuptuar nga mediat, përkundër faktit që për shumë gjëra është pajtuar atje e ka ditur që unë nuk pajtohem, edhe për nenin 7 të marrëveshjes së Brukselit edhe për aneksin e Ohrit edhe për statutin e asociacionit, e ka ditur qëndrimin tim. Unë nuk i kam ndërhyrë asnjëherë”, tha Osmani. 
 


Osmani pyetet nëse iu ofrua pozita e ministres së Arsimit: Janë diskutuar këto gjëra 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistë për “Syri TV” është pyetur nëse nga kryeministri Albin Kurti i ishte ofruar pozita e ministres së Arsimit. 

E pyetur nëse i është kërkuar që formalisht të dalë si kundërkandidate e Glauk Konjufcës për ta bërë kuorumin dhe në këmbim t’i ofrohej Ministria e Arsimit, Osmani u përgjigj se “janë diskutuar këto gjëra”.

“Janë diskutuar këto gjëra, unë e kam bërë të qartë që nuk është çështja te posti. Nuk është që mua më duhej një pozitë medoemos. Por ishte momentum historik sepse vetëm do ta betononte mbështetjen që na është ofruar nga administrata Trump”, tha Osmani. 

Ajo tha se kur mori mbështetje nga deputetët e opozitës, asaj iu kërkua nga Kurti më pas t’i ketë 85 vota. 

“Ne do të mund vetëm ta provonim kandidaturën time dhe nuk do të shkonim automatikisht në zgjedhje. Ajo çka ndodhi ishte që prapa shpinës sime po punohej me kandidatë të tjerë dhe unë e kuptoja nga televizioni që po punohej me kandidatë të tjerë përderisa mua me thuhej provo, provo ta bindësh opozitën. Kur deputetë të caktuar të opozitës më thanë që do të qëndrojnë në sallë, mua mu kërkua pastaj t’i bëjë 85 vota, pra gjithmonë rritej kjo kërkesë. Ndonëse kjo nuk është e nevojshme. Kurrë nuk kam kërkuar nga Kurti t’i japë ndonjë ministri LDK-së e as të bëjë koncesione. Kurrë nuk e kam kushtëzuar Lëvizjen Vetëvendosje. Kam kërkuar vetëm të bisedojmë me opozitën”, tha Osmani.



Osmani pyetet nëse do të kthehet në LDK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistë për “Syri TV” është pyetur nëse do të rikthehej te Lidhja Demokratike e Kosovës. 

“Do të bëjë atë që është në inertes të qytetarëve të Kosovës...Do ta shoh se cili do të jetë interesi më i madh i Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme...Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente deri më 4 prill. Pas kësaj do ta bëj një vlerësim të ri konkret në interes të Kosovës, do ta marr vendimin për rrugën përpara”, tha Osmani. 

 


Osmani thotë se Kurti u zotua se do ta mbështeste, kjo e bindi të rikandidonte

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se arsyeja pse ka vendosur që të shprehë ambicien për rikandidim ishte vullneti i qytetarëve dhe zotimi i kryeministrit Albin Kurti se do ta mbështeste.
Osmani madje është shprehur se kryeministri Kurti i ka thënë që është “presidentja më e mirë e shekullit 21”.

“Arsyeja pse unë kam dalë publikisht në fund të vitit të kaluar, duke thënë se synoj që të rikandidohem, e para ka qenë vullneti qytetar të cilët me mijëra e mijëra na kontaktonin në baza javore dhe arsyeja e dytë është zotimi i vetë kryeministrit Albin Kurti se do të më mbështeste në këtë kauzë duke e kualifikuar vetë që bashkimi ynë si binom është interes për të cilin ka nevojë Kosova. Ne do të vazhdojmë bashkë me ketë binom. Vlerësimi i tij madje ka qenë superlativ, duke më thënë je presidentja më e mirë e shekullit 21. Këtë vlerësim e ka thënë edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit”, tha Osmani për “Syri TV”.
 


Osmani e bindur që dekreti është në përputhje me kushtetutën: Megjithatë s’jam pejgambere

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se është e bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në përputhje me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, por nëse jo potencoi se e pret pasi siç tha – nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. 

“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.

Presidentja Osmani ka përsëritur që nuk ka pasur ndonjë interes personal e as nervozizëm të momentit kur e nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. 

“Ishte e qartë që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka dashur kandidaturën time dhe unë e kam pranuar. Nuk ka nervozizëm të momentit. Nuk kam as interes personal. Më shumë do të më konvenonte afati 60 ditësh sepse do të kisha pasur kohë t’i ftoja sërish partitë politike, duke filluar nga ajo më e madhja, Lëvizja Vetëvendosje. Unë veprova ashtu siç e kërkon kushtetuta”, ka thënë presidentja Osmani.
 

Osmani flet për mbështetje nga administrata Trump 2: Kjo duhej t’i pengonte vetëm Serbisë

1 o. më parë / 9 mar 2026 22:04
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Syri TV” ka thënë se si Presidencë, me kontaktet dhe me mbështetjen e diasporës, ka arritur ta betonojë qëndrimin e administratës Trump 2, pro sovranitetit të Kosovës, pro integritetit territorial dhe pro anëtarësimit në NATO. 

“Ne kemi arritur si presidencë që me kontaktet tona dhe me mbështetjen e diasporës sonë, ta betonojmë qëndrimin e administratës Trump 2 pro sovranitetit të Kosovës, pro integritetit territorial, pro anëtarësimit të NATO-s. Kemi arritur që në takim me Marco Rubion të flasim një nga një, ta bëjmë planin konkret për njohje të Republikës së Kosovës nga vendet mosnjohëse. Kemi folur se si të arrijmë që Kosovën ta fusim në NATO, kemi folur për hapjen e kapitujve që të gjithë në tërësi. Të gjitha i kemi arritur me zero cent lobim. Asnjë koncesion, madje nuk na është kërkuar asnjë koncesion as për në dialogun me Serbinë. Është dakorduar që çdo dialog me Serbinë të jetë i bazuar në njohje reciproke”, ka thënë Osmani. 

Ajo ka thënë se ka qenë mbështetje historike. Ajo ka thënë se nuk ka pritur që ky sukses t’i pengonte ndokujt në Kosovë. 

“Ky do të duhej të ishte sukses që e festojmë bashkërisht e jo sukses që dikujt i pengon. E di që i pengon Serbisë, por s’kam pritur kurrë në jetën time që t’i pengojë dikujt tjetër. Territori jonë ruhet nga ushtarët amerikanë bashkë me policinë e Kosovës. Në Bordin e Paqes, presidentë që nuk e njohin Kosovën më kanë thënë që deri më tash nuk e kemi shqyrtuar njohjen, por kjo ndryshon gjithçka”, tha Osmani.