22 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ndaj siç kanë thënë sulmeve dhe denigrimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Reagimi ka ardhur pasi anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, ka publikuar një status në Facebook ku ka fyer gjykatat dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Krasniqi reagoi pasi Gjykata Supreme të hënën refuzoi ankesën e Vetëvendosjes ndaj vendimit të PZAP-së lidhur me votimin nga jashtë.
PZAP-ja ka pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket qendrave të votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit. PZAP-ja ka vendosur që si qendra të votimit jashtë Kosovës të caktohen vetëm përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe hapësirat e tyre.
“Më dhjetor, Krasniqi ka publikuar një status në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin fyen dhe denigron gjyqtarët e gjykatave dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me fjalë poshtëruese. Kjo sjellje ka për qëllim të dëmtojë kredibilitetin e sistemit gjyqësor, të nxisë publikun të përdorë diskurs negativ ndaj gjyqtarëve dhe të krijojë klimë armiqësore ndaj tyre. Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to. Ne u rikujtojmë anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e sidomos atyre që njëkohësisht ushtrojnë funksione publike, se e vetmja formë e kundërshtimit të vendimeve gjyqësore është përmes apelimit të tyre. Një gjë e tillë është e paraparë edhe me Rekomandimin CM/Rec (2010)12 të Këshillit të Europës për gjyqtarët: pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë, sipas të cilit: ‘Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, ekzekutivi dhe legjislativi duhet të shmangin kritikën që do të nënvlerësonte pavarësinë apo besimin në gjyqësor. Ata duhet të shmangin gjithashtu veprimet që mund të vënë në pikëpyetje vullnetin e tyre për të zbatuar vendimet e gjyqtarëve, përveç rasteve kur shprehin qëllimin e tyre për të apeluar vendimin”, thuhet në reagimin e 22 organizatave të shoqërisë civile. “Ne konsiderojmë se sistemi gjyqësor është një shtyllë e fuqishme që mbron demokracinë në vend”.
Organizatat që kanë reaguar:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Lëvizja FOL
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Musine Kokalari
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK)
Flutura Kusari, aktiviste
Iniciativa për Progres (INPO)
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut(YIHR)
Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova)
KMDLNj
KIPRED
SHL-Kosova- Rahovec
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
QIKA
Fourth Wave
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
OMM Gjethi
Organizata ÇOHU!
OJQ Pishtarët
K-W4W
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)