Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ORCA me aksion simbolik kundër avancimit të një profesoreshe në UP

Orca - Fatlume Berisha

Foto: Driton Paçarada

Gjatë protestës të përfaqësuesve të ORCA-s është kundërshtuar mënyra se si është trajtuar rasti i avancimit akademik të profesoreshës së Fakultetit të Edukimit, Fatlume Berisha. Drejtori i ORCA-s, Dibran Hoxha, ka pretenduar se kandidatura e saj nuk i ka përmbushur kriteret minimale për t’u zgjedhur në thirrjen e profesorit të rregullt ndërsa ka shtuar se procesi po shndërrohet në përpjekje për t’i relativizuar standardet akademike

Përfaqësues të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) kanë mbajtur të enjten një aksion simbolik para objektit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP) për ta kundërshtuar mënyrën e trajtimit të avancimit akademik të profesoreshës së Fakultetit të Edukimit, Fatlume Berisha.

Drejtori i kësaj organizate, Dibran Hoxha, ka thënë se kandidatja nuk i ka plotësuar kriteret minimale për zgjedhje në thirrjen e profesorit të rregullt ndërsa ka shtuar që rasti i saj është rikthyer disa herë në procedura shqyrtimi brenda UP-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë aksionit, Hoxha ka theksuar edhe se procesi ka kaluar përtej një vlerësimi të zakonshëm akademik dhe është shndërruar në përpjekje për t’i relativizuar kriteret për avancim.

“Në mbledhjen e Senatit të 17 dhjetorit 2025, Trupa Këshillëdhënëse e Rektorit nuk e rekomandoi kandidaten për avancim, për shkak se ajo nuk i përmbushte kriteret minimale të punimeve shkencore. Njëri nga punimet, ku Fatlume Berisha është autore korrespondente, është i botuar në revistën ‘European Journal of Educational Research’, që figuron në listën e Jeffrey Beall për revista dhe botues të dyshimtë. Punimet në revista të listuara si të dyshimta nuk mund të përdoren për avancim akademik dhe çdo përpjekje për ta relativizuar këtë standard do të përbënte degradim të procesit të avancimeve në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se rasti është kthyer në Fakultetin e Edukimit për rishqyrtim, duke e hapur një proces të panevojshëm që “është shndërruar në përpjekje për të justifikuar një punim problematik”.

“Në këtë përpjekje u vu në funksion një komision i Fakultetit të Edukimit për kinse ‘rishqyrtimin e kredibilitetit të revistës’, ku anëtare e komisionit ishte pikërisht Eda Vula, autore e parë e këtij punimi që po tentohet të përvidhet, pra konflikt i hapur interesi. Vula, e cila është edhe senatore nga Fakulteti i Edukimit, ka avokuar fuqishëm që revista të pranohet si e vlefshme për avancim. Përmes këtij mekanizmi u prodhua një përfundim i parashikueshëm se revista qenka kredibile, ndërsa rasti u rikthye sërish në Senat për shqyrtim”, është shprehur Hoxha.

Ai ka theksuar se kjo revistë ndër vite e ka ndryshuar disa herë adresën e saj në internet, duke kaluar nga një domen në tjetrin.

“Kjo është një praktikë e njohur në botën e botimeve të dyshimta shkencore, ku revistat përpiqen të shmangin reputacionin e krijuar, duke ndryshuar domenin ose duke krijuar përshtypjen e një entiteti të ri. Megjithatë, në raste të tilla, identiteti i revistës mbetet i njëjtë, gjë që dëshmohet nga fakti se ISSN-i i saj nuk ndryshon dhe vazhdimësia editoriale mbetet e njëjtë. Në aneksin e dorëzuar nga ORCA për Senatin është argumentuar pikërisht kjo vazhdimësi, duke treguar se ndryshimi i domenit nuk krijon një revistë të re dhe për më tepër e bën edhe më të dyshimtë këtë revistë”, ka thënë ai.

Shkaku i kësaj situate, në ORCA i kanë kërkuar Senatit të UP-së që ta anulojnë vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të rastit dhe që kandidatja të rizgjidhet në titullin ekzistues.

“Ky rast tregon qartë se si një kandidaturë individuale mund të angazhojë fakultet, senat dhe rektorat në një përpjekje të gjatë për të relativizuar kriteret për avancim. Nuk mundet një kandidat t’i mbivendoset kritereve, një punim problematik të peshojë më shumë se rregullat e universitetit dhe një interes personal të mobilizojë mekanizmat institucionalë derisa të prodhohet rezultati i dëshiruar. Nëse kjo logjikë pranohet, atëherë procesi i avancimeve pushon së qeni akademik dhe shndërrohet në garë lobimi. Në një situatë të tillë, Senati rrezikon të shndërrohet në instrument lobimi, Fakultetet në strehë arsyetimesh, ndërsa Rektorati në mekanizëm shpëtimi për kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret”, ka thënë ai.

Lidhur me pretendimet e ngritura nga ORCA, KOHA ka pyetur profesoreshën Berisha si dhe Rektoratin e UP-së porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.