Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit presidenten Vjosa Osmani për dekretin që e mbajti Kuvendin të pezulluar 20 ditë. Por, nuk foli për zgjedhjen e presidentit të ri. E, opozitarët vlerësuan se ai nuk ka vullnet për një emër konsensual
Në seancën e parë të rregullt të legjislaturës së 10-të, kryeministri Albin Kurti ka folur për rëndësinë që Kuvendi të jetë funksional. Ai ka thënë se punët e mira nuk mund të mbahen peng i një krize të prodhuar politikisht.
Kurti, dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit e ka cilësuar në shpërputhje me Kushtetutën, edhe pse Gjykata nuk e ka dhënë këtë konstatim, por ka theksuar se ai nuk ka efekt juridik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri ka thënë se vullnetin populli e ka shprehur më 28 dhjetor dhe pasi ka shtruar nevojën për zgjedhjen e presidentit, është shprehur se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja.
“Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar e dëshmuar, edhe nga Gjykata Kushtetuese, që presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit as nën presion të afateve dhe paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete, e rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, ka thënë Kurti.
Pas dekretit dhe vendosjes së masës nga Kushtetuesja, Kuvendi mbeti jofunksional për 20 ditë, nga 5 deri më 25 mars kur Gjykata shpalli aktgjykimin dhe u dha deputetëve edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.
Para këtij vendimi, Kurti pati ftuar në takime kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Por, ftesa të ngjashme nuk janë bërë kur kanë shkuar tetë ditë nga aktgjykimi.
Sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, Kurti është duke e bërë këtë qëllimshëm.
“Ju e dini, na janë dhënë 34 ditë, 10 prej tyre shkuan. Po shihet qartë që është e lidhur me datën kur presidentja aktuale e kryen mandatin, Ushtrues Detyre i presidentit vjen zonja Haxhiu, pra VV po pret”, ka thënë ai.
Më 5 prill përfundon mandati i presidentes Osmani. Sipas Kushtetutës, detyrën e presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit, në këtë rast Albulena Haxhiu.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se nuk pret zgjidhje as për zgjedhjen e presidentit, dhe për këtë ngriti paralele me refuzimin e Vetëvendosjes për ta mbështetur rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës.
“Kur ne nuk kemi parë sot vullnet politik për t’u pajtuar për një çështje rreth së cilës nuk do të duhej të kishte fare diskutim, është vështirë të besojmë që ka vullnet politik për t’u pajtuar për çështje të tjera”, ka deklaruar Çitaku.
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, 14 më pak se numri minimal i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy raundet e para për ta zgjedhur presidentin.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar përpjekje të reja për arritjen e një marrëveshjeje.
“Neve na mbetet që edhe njëherë t’i ftojmë në diskutime krerët e partive të tjera, t’i ftojmë të gjithë deputetët që në bazë të përgjegjësive gjegjësisht besimit që ua kanë dhënë qytetarët të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm të votimit të presidentit të vendit në mënyrë që kuvendi të vazhdojë punën dhe vendi të mos shkoj edhe në një palë zgjedhje të reja”, ka thënë Nagavci.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.