Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës në Shtime kanë adresuar të enjten kritika për keqmenaxhim me Komunën nga ana e kryetarit Qemajl Aliu, në 100-ditëshin e parë të qeverisjes.
Subjekti opozitar, nëpërmjet një konference për media, ka akuzuar ekzekutivin i ri në Shtimes për zvarritje prej më shumë se tre muajsh të emërimit të nënkryetarit, drejtorit për Shërbime Publike dhe shefit të kabinetit.
Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së me degë në Shtime, ka thënë se opozita do të jetë aktive për t’i monitoruar punën dhe zhvillimet e përgjithshme të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. “Qeverisja lokale në Shtime përgjatë këtyre muajve dhe ditëve është karakterizuar me mungesë të transparencës, si parim themelor i qeverisjes së mirë, me paaftësi për të marrë vendime, me pazare për poste të ndryshme në ekzekutiv dhe me pazare politike, me vonesë për konsolidimin e institucioneve, përkatësisht emërimit të nënkryetarit dhe drejtorëve të drejtorive komunale (drejtori i Shërbimeve Publike), shefit të kabinetit...”, ka thënë Jakupi. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe vendime të kundërligjshme nga Kuvendi Komunal, si dhe largime nga puna për inate personale e politike, presione politike, menaxhim të dobët të pandemisë dhe dështim në mirëmbajtje të rrugëve gjatë sezonit dimëror.
E Përparim Ramusa, kuvendar nga radhët e PDK-së, ka thënë se seancat e Kuvendit po zhvillohen me menaxhim të dobët nga kryesuesi dhe se po përcillen me shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Ndonëse PDK-ja ka paralajmëruar gjatë votimit të dy komiteteve të përhershme, të KPF-së dhe KPK-së, koalicioni VV-LDK-AKR nuk ka arritur që të merren vesh me njëri-tjetrin për shkak të pazareve politike, dhe si pasojë e kësaj, MAPL-ja ka kthyer dy vendime të kundërligjshme për KK-në në Shtime. Ndërkaq, në shenjë hakmarrjeje dhe për inate politike e personale, nën urdhrin e kryetarit Qemajl Aliu, janë larguar nga puna, pa paralajmërim, gjashtë punëtorë në QKMF. Një teknik i Rëntgenit, një teknik i farmacisë, tre infermierë dhe një higjieniste, kjo e fundit mbajtëse e familjes”, ka thënë Ramusa.
Ndërkaq kuvendarja tjetër e këtij subjekti opozitar, Adelina Beqaj, ka theksuar se punonjësit e administratës janë “në hall nga presioni i ekzekutivit”.
“Punëtorët e arsimit, punëtorët e administratës komunale, punëtorët e shëndetësisë janë vazhdimisht nën presion publik, sidomos ata në pozita menaxheriale, duke u kërcënuar nga kryetari dhe drejtoritë përkatëse për ndërprerje të kontratës së punës”,
ka thënë ajo. Në anën tjetër, kryetari Aliu, nëpërmjet një përgjigjeje telefonike për KOHËN, ka thënë se nuk do t’u përgjigjej kritikave të opozitës. Porse ato i ka cilësuar të pabazuara. “Nuk i kundërpërgjigjem kësaj konference të PDK-së, por gjatë ditëve në vazhdim ne do të dalim me një konferencë për media për ta prezantuar punën tonë gjatë 100-ditëshit të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime”, ka thënë Aliu.