Megjithëse presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu deri më 28 prill, partitë politike ende nuk kanë nisur konsultat për një kandidat konsensual. Në këtë situatë, opozita ka intensifikuar aktivitetet mobilizuese në terren, ndërsa Qeveria ka shtuar vendimmarrjen, zhvillime që analistët i shohin si përgatitje për zgjedhje të parakohshme.
Partitë kryesore opozitare kanë filluar takime me strukturat dhe përkrahësit nëpër komuna, në një kohë kur janë shtuar qëndrimet në favor të zgjedhjeve të parakohshme për shkak të mungesës së një kandidati të përbashkët për president.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka nisur turin e takimeve mobilizuese në Gjilan dhe Viti dhe ka paralajmëruar shtrirjen e tyre në gjithë Kosovën. Po ashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një cikël takimesh, duke theksuar nevojën për rikthim te baza dhe përbashkim të partisë.
Nga PDK-ja nuk është konfirmuar nëse këto takime përbëjnë parafushatë për zgjedhje të parakohshme, ndërsa në LDK është theksuar se ato synojnë përgatitjen për çdo zhvillim politik.
“Vizitat në terren janë pjesë e kampanjës sonë të përbashkimit të LDK-së dhe përgatitje për çdo rrethanë që mund të sjellin zhvillimet politike”, ka thënë deputeti, Besian Mustafa.
Sipas profesorit Dorajet Imeri, këto aktivitete tregojnë përgatitje për zgjedhje.
“Vizitat në teren... kanë treguar që në fakt janë duke e matur terrenin... për mbajtjen e zgjedhjeve potenciale, të cilat me gjasë do të jenë opsioni i vetëm në ditët në vijim”, ka thënë ai.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 34 ditëve, zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.
Ndërkohë, Qeveria ka qenë aktive duke miratuar disa ligje të rëndësishme dhe duke ndërmarrë masa ekonomike, përfshirë edhe paralajmërimin e një pakete prej 200 milionë eurosh për përballimin e inflacionit. Sipas Imerit, edhe kjo tregon përgatitje për zgjedhje: “unë shoh më shumë mundësi për zgjedhje sesa për të zgjedhur presidentin...”.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasur takime mes partive për çështjen e presidentit. Liderët e opozitës kanë refuzuar takimet me Albin Kurtin gjatë kohës së masës së përkohshme, ndërsa ai ka paralajmëruar se do t’i ftojë për takim në fillim të javës.