Oda Ekonomike e Kosovës përmes një përgjigje për KOHËN ka thënë që e kanë mbështetur plotësisht implementimin e Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuar, për të cilin Qendra për Avokim dhe Zhvillim tha se, përmes odave ekonomike po tentohet zvarritja e zbatimit të këtij Udhëzimi.
“Në MSH i kemi dhënë mbështetje të plotë për implementimin e Udhëzimit Administrativ dhe kemi kërkuar si partner të jemi palë implementuese duke e ndihmuar me këshilla profesionale sipas praktikave më të mira evropiane dhe kohën e nevojshme për një implementim sa më të plotë të UA-së”, thuhet në përgjigjen e Odës Ekonomikë të Kosovës.
Në Odë thanë që po i përfaqësojnë interesat e kompanive anëtare, mirëpo nuk iu përgjigjën pyetjes se sa kompani të industrisë së duhanit përfaqësojnë dhe cilat janë ato.
“Oda Ekonomike e Kosovës me dispozitat e Ligjit për Oden Ekonomike të Kosovës nenin 8 paragrafi 1 ka për obligim ligjor përfaqësimin e interesave të anëtarësisë në tërësi...Në asnjë moment ne nuk e kemi kundërshtuar dhe nuk e kundërshtojmë UA-në...Ne jemi në krah të bizneseve të ndershme dhe të ligjshme në Republikën e Kosovës”, theksojnë në Odën Ekonomike.
KOHA ka raportuar se Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim ka përpiluar një raport ku shprehë shqetësimin për ndërhyrjet e industrisë së duhanit në politikat e shëndetit publik në Kosovë.