Arbëri

Oda e Përmbaruesve Privatë për rastin e Telekomit: Vendimi i Komerciales, precedent i rrezikshëm

Permbarues

Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK) e ka cilësuar anomali alarmante që kërcënon themelet e sigurisë juridike vendimin e Gjykatës Komerciale të 13 qershorit në rastin e Telekomit.

Ditë më parë, Telekomi njoftoi se Komercialja ka urdhëruar që ndërmarrjes t’i kthehen 4.4 milionë euro në rastin e “Dardafon.net – Z-Mobile”. Sipas komunikatës për media nga Telekomi, Gjykata ka konstatuar se përllogaritja e kamatëvonesave është bërë nga një subjekt i tretë, jo i autorizuar ligjërisht, i angazhuar nga vetë përmbaruesi, e jo siç kërkon Ligji për Procedurë Përmbarimore. Si rrjedhojë, kjo përllogaritje është shpallur e pavlefshme dhe juridikisht e papranueshme.

E ky vendim, nga OPPK-ja është cilësuar si precedent i rrezikshëm dhe i portretizon përmbaruesit si “plaçkitës”.

“Rasti konkret lidhet me zbatimin e një vendimi të formës së prerë të Arbitrazhit Ndërkombëtar të Odës Ekonomike Ndërkombëtare (ICC) në Londër, i cili më parë ishte njohur dhe shpallur i ekzekutueshëm nga vetë Gjykata Komerciale. Debitori në këtë rast, Telekomi i Kosovës Sh.A., kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike deri në Gjykatën Supreme, por urdhri për lejimin e përmbarimit ishte lënë në fuqi në të gjitha instancat. Megjithatë, aktvendimi i ri i gjyqtarit Arben Toska e detyron përmbaruesin privat Flamur Bogaj të kthejë shumën prej 4,483,945.30 euro. Oda thekson se ky vendim është në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi përmbaruesi privat është organ përmbarues, njëjtë si Gjykata kur vepron si organ përmbarues për çështjet e kthimit të punëtorëve në punë apo për çështjet familjare, siç përcaktohet në Ligjin e Procedurës përmbarimore, e jo palë në procedurë. Mjetet e arkëtuara nga debitori i janë transferuar kreditorit në përputhje me ligjin, dhe përmbaruesi nuk mund të urdhërohet t’i kthejë ato”, thuhet në reagim.

Bordi Ekzekutiv i kësaj ode ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor dhe Dhoma e Shkallës së Dytë e Komerciales që ta korrigjojnë vendimin të cilin e ka quajtur “skandaloz”.