Arbëri

Oda e Përmbaruesve Privatë e quan shpifje deklaratën e Salihut për “10-milionëshin”

Permbarues

Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës i ka reaguar deklaratës së Bekim Salihut, analist i politikave në Institutin GAP, që në emisionin “Konfront” në KTV më 5 qershor pati thënë se “vetëm në shkurt përmbaruesit i kanë fituar 10 milionë euro nga lëndët e mësimdhënësve”.

Në një reagim në adresë të Koha.net, OPPK-ja ka thënë se kjo deklaratë është e pavërtetë dhe përbën “shpifje të rëndë ndaj profesionit tonë”.

Në reagim, OPPK-ja ka thënë se shuma e potencuar nga ky analist është 11 herë më e lartë sesa ajo që, sipas njoftimit, këta përmbarues kanë arkëtuar në këtë periudhë.

“Deklarata se përmbaruesit privatë kanë fituar 10 milionë euro vetëm në muajin shkurt nga lëndët e mësimdhënësve, është tërësisht e pavërtetë dhe përbën një shpifje të rëndë ndaj profesionit tonë.

Bashkëngjitur këtij emaili gjeni kërkesën tonë zyrtare për përgënjeshtrim dhe kërkimfalje publike, e cila detajon faktet e sakta dhe të verifikueshme. Sipas të dhënave tona zyrtare, shuma e potencuar nga analisti dhe e publikuar në portalin tuaj është 11 herë më e lartë sesa shuma që përmbaruesit kanë arkëtuar nga të gjitha taksat përmbarimore, gjë që dëshmon natyrën trilluese të kësaj deklarate”, thuhet në reagim.

Sipas OPPK-së, në këtë periudhë shuma totale e kthyer mësimdhënësve është mbi 5 milionë euro, shuma për avokatë, ekspertë e procedura kontestimore dhe përmbarimore është 1.2 milionë dhe shuma totale e shpenzimeve përmbarimore mbi 850 mijë euro.

“Siç dëshmohet nga shifrat zyrtare, pretendimi se përmbaruesit kanë fituar ‘10 milionë euro’ është një fabrikim që tejkalon më shumë se 11 herë shumën reale. Ky fakt dëshmon qartazi se deklarata e z. Salihu nuk bazohen në asnjë fakt, por është një trillim i dëmshëm”, thuhet në reagim.

Artikulli ndaj të cilit ka reaguar OPPK-ja: