Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri të tranzicionit është strategji e saj për t’iu afruar Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, ky propozim nuk realizohet.
Ai ka shtuar se strategjia e LDK-së është që më pas në mandatin e plotë të bashkëqeverisë me VV-në.
“Në këtë propozim (të LDK-së) ka hile, në kuptimin që për shkak të historisë që ka pasur vitet e fundit me VV-në është problem të afrohet. Një qeveri e tranzicionit kish me i ndihmu shumë LDK-së me u afru me VV-në dhe në qeverinë e mandatit të plotë me bashkëqeverisë. Është qasje strategjike e LDK-së për të shku fshehurazi me iu afru VV-së meqë nëse e thotë tash është problem me elektoratin”.
Dakaj: Opozita s'ka guxim, po e lë Kurtin të gabojë, por s'po e bënë vetë betejën
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka deklaruar se partitë opozitare nuk kanë guxon politik që të marrin përgjegjësinë politike që ua ka dhënë qytetari.
Sipas tij, ato duan ta lënë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të gabojë, por nuk po e bëjnë vetë betejën politike.
Madje, ai thotë se ato iu kanë nënshtruar atij.
“Asnjë veprim nuk ka pasur (v.j. nga opozita), nuk ka jo vetëm kreativitet, por as guxim politik e veprime konkrete që ti del dhe thua ‘nëse Lëvizja Vetëvendosje ka të gjitha këto të bëma për të cilat po flasim çdo ditë, të cilat e shkatërruan Kosovën në arenën ndërkombëtare, në ekonominë e brendshme, në raport me të gjithë aleatët e Kosovës’, duhet ta kenë guximin për t’u ulur dhe ta marrin përgjegjësinë politike të cilën ta ka dhënë qytetari. Por iu kanë nënshtruar, madje nuk po guxojnë as t’ia përsërisin vetë deklaratat e z.Kurti kur thoshte kjo nuk është garë automobilistike. E kemi një skenë politike. I kemi të gjitha këto subjekte që po duan ta lënë Albin Kurtin të gabojë, por jo të bëjnë veprime konkrete që do t’i bënin këta ta fitojnë betejën politike kundrejt strategjisë ku i ka kurthëruar Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti.
Sopi arsyeton idenë e LDK-së për qeveri tranzicioni: Jemi në gjendje të jashtëzakonshme
Analisti Agim Sopi thotë se Kosova është në gjendje të jashtëzakonshme derisa po shtyhet formimi i institucioneve për shkak të bllokimit në Kuvend.
Sopi në “Konfront” ka thënë se nga 1 qershori do të jetë situatë e vështirë për kompanitë dhe punëtorët dhe se gjendja atëherë do të jetë më e keqe.
“Jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Nga 1 qershori, 1240 kompani do të dalin në tregun e lirë të energjisë dhe do ta kenë energjinë më shtrenjtë se 200%, që do të thotë se do të falimentojnë ose do të ikin nga Kosova. Nga 400 mijë punëtorë në sektorin privat, pothuaj 80-90%, të paktën 300 mijë punëtorë do të mbesin pa punë. Nëse këtë nuk e konsideron gjendje të jashtëzakonshme, kjo është shkatërrim i shtetit me paramendim, kjo nuk është padije, kjo është agjendë”, ka thënë ai.
Nushi: Refuzimi që i bëri LDK-ja VV-së për koalicion, shumë i mirë
Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi e ka quajtur si shumë të mirë refuzimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Nushi ka thënë se arsyet që i ka listuar LDK-ja në letrën e refuzimit kanë theksuar, sipas tij, tendencat autoritare të qeverisjes katërvjeçare të LVV-së me në krye Albin Kurtin.
“Refuzimi i thirrjes së Vetëvendosjes për koalicion me LDK-në nga LDK-ja në letrën e djeshme ishte shumë i mirë, më pëlqyen shumë arsyet e refuzimit, ku i kishte listuar problemet kryesore. Ajo ishte absolutisht refuzim për koalicion sepse letra e Abdixhikut vinte pas një letre që Kurti i kërkonte atij të bëheshin bashkë në qeverisje. Refuzimi më pëlqeu për arsyet që i kishte theksuar shumë mirë tendencat autoritare të Qeverisë, ku përmes shtrirjes së kontrollit në institucionet e pavarura, sulmit ndaj mediave, delegjitimit të kritikëve, janë krejt këto pika që e kanë karakterizuar këtë qeverisje. Mirëpo ky refuzim po bëhet problem edhe për VV-në edhe për partitë opozitare”, ka thënë ai.