Institucionet private me një veprimtari shëndetësore, në kohën kur do të duhet të rilicencohen, do të mbyllen nëse nuk plotësojnë kushtin e dy tualeteve. Kjo kërkesë në Udhëzimin e ri administrativ është vlerësuar e dëmshme nga pronarët e ordinancave
Ordinancat private me një veprimtari që duan të rilicencohen duhet të shtojnë edhe një tualet nëse tashmë e kanë vetëm një. Kjo është paraparë me Udhëzimin e ri administrativ për kushtet dhe procedurat për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore në institucionet private, që ka hyrë në fuqi në shtator të këtij viti.
“1.Institucioni shëndetësor që ushtron veprimtarinë private shëndetësore jashtëspitalore obligohet të plotësojë kushtet: 1.8 Institucioni shëndetësor me një veprimtari shëndetësore të ketë dy nyje sanitare, një nga nyjat sanitare të jetë dedikuar edhe për persona me aftësi të kufizuara”, thuhet në dokument.
KOHA ka vizituar mbi 10 ordinanca private në kryeqytet. Pronarët e tyre, në kushte anonimiteti thanë se vendimi është tejet i dëmshëm. Sipas tyre, në shumë ordinanca nuk ka hapësirë të shtohet edhe një nyje sanitare.
“Kjo kërkesë që për një ordinancë me një karrige stomatologjike duhet të ketë dy tualete është e pajustifikuar. Shumica e ordinancave janë me sipërfaqe të vogla dhe kanë një tualet. Nuk ka mundësi që të bëhen me dy tualete, pasi nuk lejojnë pronarët e lokaleve që të ndërhyhet në pronën e tyre duke i prishur muret etj. Nëse me këmbëngulje kjo kërkohet, atëherë do të vijë deri te mbyllja e shumë ordinancave, si dhe financiarisht do të dëmtohen shumë. Shumë pak janë stomatolog që janë pronar të lokalit dhe biznesit. Shumica janë me qira në lokale”, ka thënë një stomatolog, në kushte anonimiteti.
Në Odën e Stomatologëve kanë thënë se në kohën sa udhëzimi i ri ishte në konsultim publik, kanë kërkuar që si kompromis, kërkesa të jetë “minimum një nyjë sanitare”.
Në këtë odë thonë se vërejtjet nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë.
“Oda e Stomatologëve të Kosovës këtë kusht e ka vlerësuar si kusht të tepruar, sepse edhe me një nyje sanitare do të ishin përmbushur nevojat edhe për personat me aftësi të kufizuara. Ne në Odë kemi pasur disa ankesa/shqetësime lidhur me këtë çështje, dhe besoj se ky numër do të rritet me kohë, varësisht prej afatit kohor të rilicencimit të ordinancave private stomatologjike, sidomos prej atyre të cilët e kanë të pamundur që t’i kenë dy nyje sanitare për shkak të hapësirës së tyre ekzistuese”, thuhet në një përgjigje të shkruar.
KOHA ka biseduar edhe me përfaqësues të odave dhe shoqatave të profesionistëve të tjerë shëndetësorë që operojnë në sektorin privat. Disa nga ta nuk thanë se janë në dijeni për ndryshimin e udhëzimit administrativ e disa e vlerësuan të dëmshëm.
E në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në komisionin për plotësim-ndryshim të Udhëzimit, përfaqësuesit e të gjitha odave janë pajtuar me kriteret e përcaktuara.
“Kriteret e vendosura në procesin e licencimit janë bërë me qëllim ngritjen e standardeve për ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientët e assesi për dëmtim apo favorizim. Të gjitha institucionet që aplikojnë për licencim të IPSh-së nga hyrja në fuqi e këtij UA duhet të plotësojnë kushtet e parapara me këtë UA”, thuhet në një përgjigje të ministrisë
Me udhëzimin e ri, njëra nga dy nyjat sanitare duhet të jetë dedikuar edhe për persona me aftësi të kufizuara.