Arbëri

Njohësit politikë kërkojnë që Lista Serbe të çregjistrohet si parti

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë kanë shtruar nevojën që institucionet ta hetojnë Listën Serbe, pasi konsiderojnë se ajo është duke e kërcënuar rendin kushtetues, nëpërmjet kërcënimeve të fundit. Sipas tyre, nëse kjo konstatohet nga organet e drejtësisë, duhet të nisin procedurat e çregjistrimit të këtij subjekti politik

Kërcënim ndaj rendit kushtetues është kualifikuar nga njohësit politikë kërcënimi i Listës Serbe se nuk do të zgjedhë mjete për rezistencë, në rast se marrin mandatet strukturat e reja lokale në komunat e veriut, të dala nga zgjedhjet e 23 prillit.

Kërcënimi është lansuar të premten pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili është shqiptar, por që fitoi garën në këtë komunë të banuar kryesisht me serbë, meqë serbët e bojkotuan në masë procesin.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cilësoi si represion ndaj serbëve zhvillimet e fundit në veri, të cilat tha që nëse nuk ndalen deri më 1 qershor, do të haset në rezistencën e popullit serb pa kursyer kurrfarë mjeti.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, thotë së për kërcënimin e kësaj partie parlamentare, përveç që duhet të nisin hetime nga Prokuroria, duhet edhe që të shikohet mundësia e çregjistrimit si subjekt politik.

“Një parti politike parlamentare të dalë me atë deklaratë, që ‘ka filluar pushtimi në një pjesë të një vendi’ unë mendoj që është kërcënim direkt ndaj rendit kushtetues dhe mendoj që organet e drejtësisë duhet të merren seriozisht me këtë kërcënim”, ka thënë Arifi. “Kjo i bie që Lista Serbe duhet të analizohet se a duhet të çregjistrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sepse kjo me të vërtetë po e kalon çdo limit”.

Ndërkaq, Akri Çipa, ekspert i politikës së jashtme, vlerëson se Lista Serbe me retorikën e saj të përshkallëzimit të situatës, po mundohet t’i justifikojë gabimet ekstreme politike që ka bërë, veçanërisht kohëve të fundit në veri.

“Tashmë ka një moment të ri në të cilin paaftësia e Listës Serbe ose qoftë edhe e Beogradit për të ndikuar për të ushtruar presion edhe më të shumtë mbi Qeverinë e Kosovës dhe mbi përfaqësuesit e Republikës së Kosovës ka dështuar”, ka thënë Çipa. “Tashmë përpiqet të mbahet në këmbë me një retorikë të tillë, me një përshkallëzim të retorikës, por me mjete të limituara për të vepruar në terren”.

Zgjedhjet në katër komunat veriore janë mbajtur më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve dhe asamblistëve, me kërkesë të Listës Serbe. Procesi u bojkotua në masë nga serbët e veriut, e edhe nga kjo parti që tani konteston legjitimitetin e strukturave të reja lokale.

Njohës politikë vlerësojnë se Qeveria duhet të jetë vigjilente për qëllimet e Beogradit që vijnë përmes Listës Serbe dhe të dijë se si të reagojë ndaj tyre, në mënyrë që të jetë në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Në rend të parë pres reagim nga Qeveria e Kosovës dhe organet e drejtësisë. Nëse ne reagojmë të parët si duhet duke zbatuar ligjet, atëherë edhe ndërkombëtarët do t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë profesori Dritëro Arifi.

Edhe Akri Çipa ka bërë thirrje që të mos nënvlerësohet kërcënimi.

“Duhet një kujdes sepse nuk duhet të nënvlerësohet synimi malinj i Beogradit për ta përdorur gjithmonë Kosovën për interesa të drejtpërdrejta që lidhen jo vetëm me çështjet e mbajtura pezull mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe me interesat e brendshme të këtyre politikanëve, liderëve serbë”, ka thënë ai.

Në lidhje me diskursin kërcënues me të cilin është shërbyer Lista Serbe, nuk kanë folur as në Qeveri dhe as në Bashkimin Evropian, i cili lehtëson dialogun Kosovë-Serbi.

Por, pas betimit që ka dhënë kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka paralajmëruar se proceset e tilla të betimit do të realizohen edhe në tri komunat e tjera veriore.

“Ditëve në vijim sigurisht që do të vazhdojmë me organizimin e seancave të kuvendeve, të konstituohen kuvendet aty ku duhet të bëhen dhe dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Sigurisht që propozimi për datën do të vijë nga vetë kryetarët e zgjedhur dhe ne si ministri do t’i asistojmë për organizimin e seancave”, ka thënë Krasniqi. “Seancat organizohen në koordinim me kuvendet komunale. Është në mandatin e kryetarëve të zgjedhur që ta ftojnë seancën në momentin kur ta ftojnë seancën, atëherë ne do të asistojmë”.

Dy ditë më parë, fillimisht ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, e më pas edhe ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it kanë bërë thirrje që institucionet e Kosovës të mos e përdorin forcën gjatë procesit të sigurimit të qasjes së kryetarëve të rinj të komunave të veriut, në objektet komunale.

E për forcën që përdorën për të penguar hyrjen në objektin e Komunës së Zveçanit, javën e kaluar u arrestuan dy persona. Ndërkaq, pak ditë më vonë u intervistuan dy të tjerë, që policia i kapi tek saldonin portën hyrëse të godinës së Komunës së Zubin-Potokut.