Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është vlerësuar sinjal i qartë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kosovën shtet funksional e aleat strategjik. Ky zhvillim si dhe takimi pasues i presidentes Vjosa Osmani me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sipas njohësve të çështjeve politike pritet të ndikojnë në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, si dhe të sigurisë e bashkëpunimit ekonomik midis SHBA-së e Kosovës
Përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes, që më pas e prodhoi edhe takimin e një dite më parë të presidentes Vjosa Osmani nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, demonstron se Shtetet e Bashkuara e shohin Kosovën si shtet funksional dhe aleat strategjik, thanë njohës të çështjeve politike.
Sipas tyre, këto veprime i hapin rrugë Kosovës për përfitime si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAnalisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se pjesëmarrja në Bordin e Paqes është mënyrë e mirë e promovimit të Kosovës nëpërmjet Forcës së Sigurisë.
“Pjesëmarrja në këso organizatash, forcon diplomacinë mulitilaterale, mund të kërkojë njohje të reja, sidomos nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta zëmë siç është Maroko apo vende të tjera në Amerikën Latine apo në Azi, dhe kësisoj do të promovojë përmes Forcës së Sigurisë të Kosovës shtetin e saj me pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse për të krijuar paqen në Gazë nesër”, ka thënë Sadiku.
E politologu Melazim Koci tha një ditë më parë se edhe pranimi i ftesës për pjesëmarrje është privilegj për Kosovën.
“Ne kemi qenë konsumues të sigurisë, tani kemi mundësinë të ofrojmë siguri, qoftë edhe në mënyrë simbolike. Ky është hap pozitiv për Kosovën”, ka thënë Koci.
Si pjesë e Bordit të Paqes, Kosova është një prej pesë shteteve që zotuan trupa paqeruajtëse në kuadër të forcës së përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.
Pas këtij zotimi, të kumtuar të enjten në mbledhjen inauguruese të mekanizmit të presidentit amerikan, Donald Trump, sekretari i Shtetit Rubio, në një postim në platformën X, i falënderoi popullin dhe presidenten e Kosovës për përkushtimin për paqe dhe stabilitet.
Këtë mesazh, e përcolli të shtunën Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me Qeverinë e re të Kosovës për ta çuar përpara agjendën tonë të përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes, ndërsa nga vendet e BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria.
Ky mekanizëm është formuar me synimin që të mbikëqyrë zbatimin e planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës dhe në rindërtimin e saj.