Arbëri

Kushtëzimet mund ta zgjasin ngërçin në zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Kryeministri Albin Kurti ka kushtëzuar BE-në se nënshkrimin e draftstatutit të Asociacionit që ajo e ka propozuar, do ta bëjë vetëm nëse dokumenti vihet për nënshkrim nga palët në pako me marrëveshjen bazë dhe me aneksin e zbatimit të saj. Njohësit e çështjeve politike kanë pikëvështrime të ndryshme për këtë qëndrim të kryeministrit. E emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka theksuar se edhe pse marrëveshjet e fundit nuk janë nënshkruar, ato përbëjnë detyrim ligjor për të dyja palët

Tek raportoi të premten në Kuvend për dialogun, kryeministri Albin Kurti përmendi për herë të parë një kusht për ta nënshkruar draftstatutin për Asociacionin që iu prezantua nga liderët e shteteve kryesore të BE-së. Tha se këtë do ta bëjë vetëm në pako me marrëveshjet e arritura deri më tash me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel e Ohër.

“Unë nuk e kam pranuar draftstatutin, kurrë nuk do ta nënshkruaj draft-statutin, por kur m’u tha mua nga krerët evropianë se situata është urgjente dhe shansi është unik, unë thashë ‘pritni pak se marrëveshjen bazike, aneksin e zbatimit unë tashmë i kam pranuar. Nëse dëshironi një paketë, le ta bëjmë’. Dhe unë e pranoj si pjesë të paketës, ndonëse i kam dhënë vërejtjet para dy dite por vetëm si pjesë e paketës, jo të nxirret nga paketa”, ka thënë Kurti.

Por, njohësi i çështjeve politike, Visar Xani, thotë se Kosova duhet të ketë kujdes që të mos dalë para ndërkombëtarëve si palë joserioze, e cila me kushtet e saj e pengon zbatimin e marrëveshjeve.

“Me gjasë palët kanë vizion ndryshe dhe kanë disa kushte të cilat nuk na dërgojë deri te përmbyllja e një marrëveshje me zbatueshmëri. Patjetër që ne si Kosovë duhet të kemi kujdes në hapat tanë, por nuk do të thotë që kushtet të cilat i kemi vendosur janë të patejkalueshme”, ka thënë Xani.

E njohësi tjetër, Shkumbin Beqiri, justifikon insistimin e kryeministrit që palët t’i vënë nënshkrimet mbi dokumentet e dakorduara.

“Kjo nuk do të ishte në formë klasike një lloj kushti prej anës së Kosovës, por do të ishte një formë se si do të mund të arrihej një marrëveshje më lehtë e zbatueshme prej të dyja anëve, në mënyrë që të mos kemi pastaj probleme prej interpretimit të ndryshëm prej të dyja anëve”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka theksuar se draftstatuti nuk mund të nënshkruhet me Serbinë si dokument i veçantë, meqë sipas tij, rregullimi i këtij mekanizmi është çështje e brendshme e Kosovës.

Por, megjithëkëtë ai ka mëdyshje se presidenti serb, aktualisht është i interesuar të nënshkruajë dokumente për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, me mospranim e mosnënshkrim të marrëveshjeve ai po tenton të blejë kohë dhe ta shtyjë këtë çështje sa më gjatë, meqë thotë se i hyn në punë për zgjatjen e jetës së tij në politikën serbe.

“Këtë ne nuk duhet ta lejojmë për arsye se ne jemi në një pozicion më të favorshëm nga që ishim më herët, që të arrijmë një marrëveshje e cila është e favorshme në këto rrethana për ne. Dhe, krijimi i Asociacionit të jetë lehtë i menaxhueshëm prej anës së Qeverisë së Kosovës dhe e mbajtjes së tij në kontroll pas themelimit. Çdo hap që e bëjmë që i lëmë shteg Vuçiqit të ndërhyjë në çështje të tilla, atëherë do të ishte një pengesë serioze”, ka thënë ai.

Kurti është shprehur se nuk e ka nënshkruar draft-statutin e si rrjedhojë nuk ka obligime për zbatimin e tij.

Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i tha Zërit të Amerikës se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin, pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai. Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit – Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto.

E, në seancën e së premtes kryeministri Kurti pati një definicion për marrëveshjet pa nënshkrim.

“Shtetet serioze negociojnë e dakordohen me mirëbesim, krijojnë qartësi të plotë e zhvillojnë konsensus përmes dakordimit të teksteve në letër, e atyre u japin pranim e efekt përmes nënshkrimit të shefave të shteteve e të qeverive. Formë tjetër, pa tekst, pa letër e pa nënshkrim nuk njoh, pos atyre që gjenden në librat e historisë së mesjetës”, u shpreh Kurti.

Për dallim nga ai, analisti Xani thotë se marrëdhëniet ndërkombëtare i njohin zotimet e shteteve edhe pa nënshkrime.

“Nëse kemi garanci të forta nga faktori ndërkombëtar se obligimet e marra duhet të jenë të detyrueshme nga shtetet, atëherë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare janë të hapura zotimet dhe janë obligime që duhet të zbatohen. Pra, nuk janë vetëm nënshkrimet si proces i cili i detyron palët në këtë aspekt”, ka theksuar ai.

Për çështjen e kushtëzimit të pranimit të draftstatutit të Asociacionit, nëse ai nënshkruhet në pako me Marrëveshjen Bazë dhe aneksin për zbatim, KOHA i ka dërguar pyetje BE-së, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Këtë vit, edhe për marrëveshjen bazë e edhe për aneksin, Brukseli iu bind kushtit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq që dakordimi për to të bëhet pa i nënshkruar ai dhe kryeministri Kurti.